Realizim i suksesshëm i projektit për t’u dhuruar arbëreshëve të Italisë shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

Të dashur shqiptarë,

Siç jeni informuar nga mediet në gjuhën shqipe, më 10 shtator 2023 u themelua Shoqata “Hora e   Skënderbeut”. Qëllimi fillestar i kësaj shoqate ishte nisma që, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për

kontributin e gjithanshëm të arbëreshëve të Italisë, t’u dhurojë atyre shtatoren e Heroit Kombëtar,

Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Shtatorja e realizuar me mjeshtri të madhe nga skulptori nga Kosova, z. Gëzim Muriqi, pati një

përkrahje të jashtëzakonshme nga mërgimtarët shqiptarë. Falë kësaj përkrahjeje, shuma e kostos së

këtij projekti u realizua nga donacionet e mërgimtarëve shqiptarë.

Pas hedhjes në bronz të shtatores dhe realizimit të plotë të skulpturës, Presidenca e Kosovës, si

institucion i vetëm shtetëror që ndihmoi këtë projekt, mori përsipër të mbulojë shpenzimet e

transportit nga Kosova në Sicili.

Për kontributin që dhanë në realizimin e suksesshëm dhe inaugurimin e shtatores së Heroit tonë

Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, më 30 gusht 2024, në 536-vjetorin e themelimit të

vendbanimit Hora e Arbëreshëvet, Shoqata “Hora e Skënderbeut” u shpreh mirënjohje:

-të gjithë mërgimtarëve shqiptarë, të cilët përkrahën financiarisht realizimin e këtij projekti,

veçanërisht z. Veli Berisha si nismëtar dhe donatori më i madh financiar;

-shoqatave dhe ansambleve kulturore dhe artistike, që veprojnë në shtetet perëndimore;

-klubeve dhe bizneseve të ndryshme që kontribuuan për realizimin e këtij projekti;

-Presidencës së Kosovës, si i vetmi institucion shtetëror që ndihmoi projektin, duke mbuluar

shpenzimet e transportit të shtatores nga Kosova në Sicili.

Një mirënjohje e veçantë shkon për autoritetet e bashkisë Hora e Arbëreshëvet dhe sidomos për

kryetarin e saj, z. Rosario Petta, për bashkëpunimin e shkëlqyer që nga nisma jonë e deri në realizimin

e këtij projekti, si dhe për qytetarët e Horës së Arbëreshëvet, për mikpritjen e jashtëzakonshme që

treguan ndaj mysafirëve që kishin ardhur nga të katërta anët e botës, enkas për inaugurimin e

shtatores.

Të dashur shqiptarë,

Pas realizimit të suksesshëm të projektit për vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

në sheshin përballë ndërtesës së bashkisë, përvoja pozitive e bashkëpunimit me autoritetet bashkiake

të Horës së Arbëreshëvet rezultoi me nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet

autoriteteve të Bashkisë Hora e Arbëreshëvet dhe Shoqatës “Hora e Skënderbeut”. Në të ardhmen

shoqata jonë do të angazhohet në gjetjen e formave përkatëse për t’i kontribuuar kohezionit

kombëtar dhe lidhjes sa më të fortë me arbëreshët e Italisë.

Shoqata “Hora e Skënderbeut” fton të bashkohen në këtë nismë të gjithë shqiptarët që ndajnë vlera

të përbashkëta dhe që janë të bindur në domosdoshmërinë e përforcimit të kohezionit tonë shoqëror,

si parakusht që të tejkalojmë sfidat me të cilat ballafaqohemi si komb.

Zvicër, 12 shtator 2024

Kontrolloni gjithashtu

Ka ndërruar jetë Lulzim Cara, babai i Heroit të Kosovës, Indrit Cara

Ka ndërruar jetë, Lulzim Cara, babai i Heroit të Kosovës, Indrit Cara. Lulzimi ishte një …