HASAN UKËHAXHAJ: REAGIM ME SHKAS

Pasi mora disa telefonata miqësh se në një nga ato TV- të e  shumta të Kosovës, TV Dukagjini, në emisionin „Debat plus“ një  nga UDB-shët që ka shërbyer me vetëdije për pushtetin represiv  jugosllav, Mehmet Loci, paska tentuar që në përgjithësi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare me karakter anti jugosllav,  ta denigrojë  dhe në veçanti Komitetin e Deçanit me në krye Ismail  Haradinajn, duke ngritur insinuata të ulta.

Dhe pse në moshë të thyer, ndjehem i obliguar të reagoj në  mënyrë që populli shqiptar të kuptojë të vërtetën për sakrificën  e madhe që është dashur të bëjë çdo i burgosur politik, që i ka  hyrë rrugës për ta derguar në vend amanetin e rilindësëve tonë. Ndonëse i kam thënë shumë gjëra në librin „Komiteti i  Deçanit“ i botuar vitin e kaluar, më duhet me disa rreshta t’i  përgjigjem atyre insinuatave të ngritura, në mënyrën më  përfide.

Ashtu si çdo organizatë apo grup i fsheht me karakter  nacionalçlirimtar dhe anti-jugosllav pas Luftës së Dytë Botërore,  janë bashkuar me qëllim për të kontribuar në rrugën për  çlirimin e Kosovës, duke e ditur se rrezikojnë që të shkatërrojnë  jetën e tyre dhe të familjes. Në këtë rrugëtim të trasuar ka ecur  edhe “Komiteti i Deçanit”. Pra, „Komiteti i Deçanit“ është  formuar drejtpërdrejt nga direktivat e atdhetarit Jusuf Gërvalla   dhe është udhëhequr nga atdhetari, po ashtu, i pamposhtur  Ismail Haradinaj.

Prandaj përpjekjet tona në drejtim të çlirimit të trojeve  shqiptare të mbetura nën Jugosllavi, ishte qëllimi i parë dhe i  fundit. UDB-ja në anën tjetër kishte armët e saja për t’i  ndërprerë këto përpjekje në format më të ndryshme e më të  dhunshme të mundshme, sa që dihet mirëfilli se atdhetarë të  papërkulur lanë edhe jetën në ato “zyra“ të tipit të Aushvicit.

Në  këtë rast po mjaftohem të përmend atdhetarin Fazli Graiçevcin  në Prishtinë, por edhe dy tjerë, Malë Morinën dhe Xhemajl  Blakajn në  Pejë.

Ata, pra të burgosurit politikë, e dinin që dhuna fizike dhe  psiqike përbrenda kazamateve ishte vetëm njëra anë, më e  tmerrshme ishte shantazhi, përndjekja, izolimi dhe linçimi i  familjarëve tanë jashtë mureve të burgut.   Frikësimi i popullit për t’iu ndihmuar familjeve tona, dëmëthënë  që ato të ndjeheshin të vetmuara; pengimi në shkollim i brezit

të ri dhe pengimi në punësim dhe pothuaj në të gjitha poret e  jetës ishte qëlimi i Serbisë që përmes mekanizmave shtetëror  dhe shërbyesve të tyre të UDB-së të arrijë për t’i gjunjëzuar  familjet tona dhe për të zhdukur idealin e lirisë.

         Në njërën anë ata, zbuluan grupe e organizata, i burgosën  veprimtarët, ushtruan dhunë ndaj tyre dhe familjeve të tyre,  por s’arritën dot t’i ndalin në qëllimin që i kishin vënë vetes.  Ndërkohë të burgosurit politikë, nuk u thyen kurrë, ashtu siç  pretendon ndonjë UDB-ash, sepse shumë prej tyre edhe pas  daljes nga burgu përsëri u arrestuan ngase  nuk e ndërprenë  veprimtarinë. Madje kishte dhe nga ata që u arrestuan, por  kurrë nuk u kthyen në familje, siç është rasti i Ukshin Hotit.

Të  tjerët vazhduan veprimtarinë atdhetare në gjirin e Lëvizjes  Popullore për Republikën e Kosovës – LPK-së –  e ndokund tjetër   në atdhe e jashtë tij, deri sa edhe si pjesëtarë të Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës ia dhanë shkelmin e fundit pushtuesit  serb. Këtë e dëshmon më së miri familja e Ismail Haradinajt.

Sa u përket akuzave në formë insinuatash se UDB-ja paska  infiltruar njerëzit e saj nëpër grupe e organizata, kjo s’është as e  çuditshme dhe as e panjohur për ne; të tilla shpifje janë  normale. Por, këtu, gjithashtu ua kujtoj se edhe në organizata  “ilegale” shumë herë më të sofistikuara e më të organizuara e  më të vjetra se kjo e jona, siç ishin: IRA e Irlandës së Veriut dhe  ETA e baskëve të Spanjës, u janë infiltruar njerëzit e sigurimit të  brendshëm përkatës dhe janë dekonspiruar. Kjo është më së  normale, veçse në dallim prej këtyre të dyjave Lëvizja jonë duke

krijuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës arriti ta çlirojë vendin… Edhe një gjë, historia i ka dy faqe. Faqen e saj të bardhë dhe atë  të zezë. Gjithësecili, pa përjashtuar gjini as moshë që u  bashkuan kundër Jugosllavisë Tito-Rankoviqiste me qëllim për  të çliruar vendin, pavarësisht sa ka mundur të kontribuojë, edhe  nëse ndokund nën presion e dhunë ka mundur të tregojë shenja  dobësie, por s’është ndalur dhe ka vazhduar prap të ndihmojë  në rrugën për çlirimin e Kosovës është faqebardhë me historinë.

Në faqen tjetër të historisë janë të gjithë ata që me vetëdije  kanë punuar dhe janë munduar që këto përpjekje t’i

ndërpresin, me presion dhe dhunë, nëpër qeli e jashtë tyre,  shumë herë edhe fatale. Por, që për fatin e popullit tonë nuk  arritën të dalin fitues, sepse fitoi mundi dhe gjaku i atyre që = atdheun e kishin mbi gjithçka.

Ne e dinim qysh atëherë që edhe në institucionet tona kishte  njerëz që kanë ëndërruar dhe janë munduar që Kosova t’i fitoj  të drejtat që i takonin me rrugë institucionale. Por, koha i  demantoi ato për të cilat, ne veç ishim të bindur se autonomia  ishte fluskë sapuni; për 24 orë Serbia e revokoi autonominë e  saj, bile në Kuvendin e Kosovës, për më tej dhe me votat e  shqiptarëve lojal në raport me Jugosllavinë dhe më ndimën e  UDB-së.

Sa e vështirë ka qenë kjo, dëshmojnë edhe ngjarjet që po na  përcjellin edhe sot, një çerek shekulli pas lufte. Prandaj,

përpjekjet e cilitdo që mendon për të denigruar organizatat a  grupet atdhetare apo edhe udhëheqësit e tyre dihet mirëfilli që  çojnë ujë në mullirin e luftës speciale të Serbisë. Përkundrazi,  institucionet tona duhet të ndërhyjnë sa më shpejt në mënyrë  që Serbisë t’i bëhet e pamundur që ta zhvilloj luftën e saj

speciale për përçarje e për luftë vëllavrasëse.

Në fund, ky popull, ky shtet, duhet ta dijë që arritja e fitores shekullore e kulmuar me formimin e shtetit tonë u   dedikohet ekskluzivisht përpjekjeve dhe sakrificave të mbarë  popullit tonë, por në radhë të parë atyre që dergjën trupin  nëpër tortura në kazamatet e Jugo-Serbisë, në tëra ato vite të  gjata burgimi; sidomos atyre që lanë gjymtyrët e trupit dhe atë  më të vlefshmen, jetën për liri. Pra, idealet e atyre që  sakrifikuan e që ishin edhe idealet e popullit shqiptar, triumfuan  mbi ato idale që mbronin jugosllavinë nga kulltuku e me paga të  majme e me kërbaç në dorë…

Pra, po nënvizoj që ne të burgosurit politikë, gra e burra, të rinjë e të reja e të moshuar, ato që kanë ndodhur nëpër zyrat  famkëqe të UDB-së dhe nëpër burgje, anë e kënd atij shteti  gjenocidar, nuk i harrojmë as nuk i falim, sepse ishit ju  kolaboracionistët që i keqpërdoret pozitat tuaja për hesap të  Serbisë.

Megjithatë ne nuk do të merremi dhe as që kemi menduar deri  tani që të merremi përsonalisht dhe të zhytim vetën tonë,  sepse, juve as që iu kemi vërejtur në rrugën tonë të idealit.

Mendoj që veprimet e dhunës janë kryer në mënyrë  instituticionale e sistematike, andaj edhe instituticionet tona

duhet të merren me atë kohë të dhimbjes krenare. Ato dhe  vetëm ato mund të falin apo denojnë. Filozofia jonë ka qenë  dhe është: Serbia është armiku i vetëm i cili ka bërë katër herë  gjenocid mbi popullin shqiptar.

Përkundër moshës dhe shëndetit jo të mirë, duke respektuar  thirrjen e disa miqëve dhe shokëve unë e bëra këtë reagim  personal duke u ndjerë edhe i obliguar kundrejt shokëve tonë  që nuk janë në jetë, në veçanti për atdhetarin dhe heroin Ismail Haradinajn.

Mendoj, duke nënvizuar edhe njëherë, reagimet e tilla nuk  duhet të jenë personale por institucionale. Në radhë të parë do  të duhej që Shoqata e të Burgosurve Politikë t’u japin përgjigjen  e duhur këtyre insinuatave, por sidomos shteti ynë, meqë këta  të burgosur kontribuan dhe sakrifikuan rininë e tyre dhe  mirëqenien e familjeve të tyre për t’u bërë ky shtet.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …