leoni

Vaxhid Sejdiu: Arbëreshët kjo “rrënjë e fortë”...

Vaxhid Sejdiu: Arbëreshët kjo “rrënjë e fortë”…

“Me rastin e 90 vjetorit të lindjes së At Antonio Belushit, njërit nga rilindësit më të njohur të kulturës jo vetëm arbëreshe por edhe mbarë kombëtare”.

2024, në katundin Shën Vasili, të Kalabrisë së bashku me nxënësit arbëresh

Në vazhdimësi shkrimtarët dhe intelektualët arbëresh e kanë ngritur lartë e më lartë gjuhën dhe identitetin kombëtar. Ata nuk ishin dhe nuk janë vetëm emra të përveçëm në kulturën arbëreshe por në mbarë kulturën kombëtare shqiptare. Të përkujtojmë disa emra, si Jul Variboba Jeronim de  Rada, Anton Santori, Zef Serembe,Vinçens Stratikoi, Gavril Dara i Ri, Zef Skiroi, Anton Skura, Zef Krispi, Dhimitër Kamarda, Dushko Vetmo, Vorea Ujko, Skiro di Maxho, Karmel Kandreva, Kate Cukaro, Fran Altimari etj. Këta dhe shumë të tjerë janë dhe do të mbeten përgjithmonë zë i fortë i rrënjës arbëreshe, të cilët me gjithë përkushtimin dhe angazhimin e tyre e ruajtën dhe e zhvilluan gjuhën dhe kulturën arbëreshe, duke u përballë ndër shekuj me asimilimin e përditshëm dhe mënyrën e jetesës pa asnjë ndihmë institucionale në vendin ku jetuan dhe jetojnë. Arbëreshët janë simbol i sakrificës së gjakut dhe i përpjekjeve se si ruhet gjuha, flamuri, kultura dhe identiteti kombëtar. Kjo “rrënjë e fortë” me shekuj e mbajti gjallë shpirtin ashtu siç përshkruhet me këngën “Moj e bukura more”.

Së bashku me drejtoreshën e Qendrës Albanologjike Ornela Radovicka në bibliotekën e At Antonio Belushit, në Frasnitë maj 2024  

E mbajnë gjallë edhe sot dhe jam i bindur se do të dinë ta ruajnë dhe zhvillojnë edhe më shumë në të ardhmen, për hir të ndryshimeve të shumta që kanë ndodhur në botën shqiptare. Me shekuj katundet arbëreshe ishin dhe janë shembulli më i mirë institucionalë për ruajtjen e gjuhës, këngës dhe valles arbëreshe. Veshjet arbëreshe janë dëshmi e gjallë e identitetit tonë se “gjaku i arbrit rron”. Natyrisht se e gjithë kjo nuk mjafton dhe në ditët e sotme ku ndryshimet teknologjike e bëjnë të veten qoftë në përpjekjet pozitive apo negative. Ka aq shumë rrugë për të ruajtur gjuhën dhe identitetin e tyre, sa që vetëm duhet të veprojmë. Dhe në këtë rrugëtim arbëreshët e kanë bërë të qartë se kanë nevojë për institucionet tona, kanë nevojë veçanërisht për institucionet tona të arsimit, për shkollat, me qëllim që të vëllazërohen në mes veti edhe pse gjeografikisht jetojnë dhe punojnë larg njëri – tjetrit. I madh është numri i vëllezërve arbëreshë, që meritojnë mirënjohje të lartë në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës arbëreshe dhe jo vetëm, por mbi të gjitha duhet të përmendim një emër i cili i bëri ballë projekteve antishqiptare, të cilat projekte duke shfrytëzuar platformën e bindjeve fetare i quajtën arbëreshët në mënyra të ndryshme secili sipas dëshirës apo apetiteve ballkanike. Por, ja që arbëreshët janë gjallë, edhe vepra e Antonio Belushit me shokë është gjallë. Vdekja e tij ka  sensibilizuar botën shqiptare që të vazhdojmë rrugën e tij në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës. Fakt është se Antonio Belushi ishte zë i fortë i Kosovës dhe gjithë shqiptarizmës. Ideja dhe vizioni i tij mbeti gjallë në mendjen e njerëzve atdhedashës, të cilët parim në vazhdimësi kishin dhe kanë vlerat kombëtare. Në këtë drejtim dallohet studiuesja e kulturës arbëreshe Znj. Ornela Radovicka e publicisti Rexhep Rifati, si dhe një mori emrash të botës arbëreshe, të cilët bashkërisht mozaikun arbëresh e përkufizojnë si diçka të mrekullueshëm në të gjitha pikëpamjet e studimeve.

Përpjekjet arbëreshe mund të personifikohen  me vargjet e poetit Ali Podrimja, i cili thotë “assesi s`e pranoni humbjen/ e kaq vjet erret/ dilni prap te bregu i detit /vetëtoni derisa bubullon në botë/ mbledhni ato të rralla fjalë/ ose i krijoni nga hiri i ëndrrave/ për një çast ndalni kohën pastaj/ kaltroni e zbardhni si de Rada” apo me vargjet e një admiruesi arbëresh, për de Radën, i cili thotë “Atë që e bëri Skënderbeu me shpatë” Ti e bëre me pendë/ O, i madhi de Radë”.

Këto vargje, në mënyrë origjinale personifikojnë jetën dhe veprën e Antonio Belushit, i cili tërë jetën ia kushtoi gjuhës dhe kulturës abëreshe duke e ngritur çështjen në shkallë kombëtare. Ai u kujdes dhe u mundua me tërë qenien e tij, t`i sensibilizojë të gjithë arbëreshët në Itali dhe Greqi të veprojnë në shërbim të kombit, duke e penguar deri në një shkallë asimilimin e tyre të përditshëm.

Lirisht mund të themi se figura e tij poliedrike e ka pasuruar historinë tonë kombëtare me veprën e tij të begatë. Vepra e tij madhore duhet të na motivojë të gjithëve pa dallim me qëllim që kjo “rrënjë e fortë” të mbijetojë. Të mbijetojë dhe të vazhdoj e të këndohet nga goja arbëreshe kënga shekullore “moj e bukura more”:

“Moj e bukura more’eee
Si të lash e më stë pash
…………………………………

…………………………………
atje kam une zonjen meme
atje kam untim at
atje kam atje kam atje kam
edhe tim vella
Moj e bukura more
Si te lash e me ste pash
Moj e bukura more”.

Cyrih, 15 shtator 2024

Kontrolloni gjithashtu

Ismail Kadare

Mihal KALIA: Qëndrimi e qasja e “intelektualëve” ndaj jetës dhe veprës së shkrimtarit tonë të shquar, Ismail Kadare I

Me ndarjen  prej nesh të I.Kadaresë, deti i letërsisë  shqipe humbi një nga dallgët e …