Mbahet diskutimi publik me qytetarët e Vitisë për planifikimin e buxhetit 2025-2027

Kuvendi Komunal i Vitisë dhe Komiteti për Politikë dhe Financa, kanë organizuar sot një diskutim publik me qytetarët për planifikimin e buxhetit për periudhën 2025-2027, ndërsa prezent ishin zëvendës kryetari i Komunës së Vitisë z.Hasan Aliu dhe kryesuesi i Kuvendit komunal, z.Bekim Azizi. Ky takim synon të përfshijë qytetarët, asambleistët, këshillat e fshatrave, klubet sportive, shoqatat e grave, shoqërinë civile etj, në procesin e vendimmarrjes dhe të mbledhë propozimet e tyre për investimet dhe projektet që duhet të përfshihen në këtë buxhet trevjeçar. Në diskutim morën pjesë përfaqësues nga Drejtoria për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, zyrtarë të komunës si dhe një numër i konsiderueshëm qytetarësh. U theksua rëndësia e përfshirjes aktive të komunitetit në përcaktimin e prioriteteve buxhetore, veçanërisht në fushat e infrastrukturës, të arsimit, të shëndetësisë dhe të zhvillimit ekonomik. Drejtoresha e Financave, Melihate Ajeti, theksoi se ky diskutim është një mundësi për të krijuar një dialog të hapur me qytetarët dhe për të marrë sugjerimet e tyre mbi projektet që janë në interes të përgjithshëm. Gjatë takimit, qytetarët ngritën çështje të ndryshme, përfshirë nevojën për investime në rrugë, instalimin e kolektorëve për ujërat e zeza, rritjen e kapacitetit të ujit, sistemimi i qytetarëve në sistemin e menaxhimit të mbeturinave, krijimi i hapësirës për hedhjen e materialit ndërtimorë e të tjera.

Ky diskutim është pjesë e një serie takimesh publike, me qëllim për të përfshirë sa më shumë qytetarë dhe për të siguruar një proces buxhetor transparent dhe gjithëpërfshirës. Komuna e Vitisë mbetet e përkushtuar për të përmbushur kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve të saj, duke ndërtuar një buxhet që ndihmon në përmirësimin e cilësisë së jetesës për të gjithë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …