Në mbledhjen e nëntë të Komitetit për Politikë e Financa, u shqyrtuan disa pika të rendit të ditës e njëra ndër to që edhe pati më shumë diskutime ishte ajo e projekt buxhetit të komunës së Vitisë për vitet 2025-2027. Këtë projekt buxhet e prezantoi drejtoresha për Financa dhe Zhvillim Ekonomik Milihate Ajeti e cila bëri të ditur se buxheti për vitin 2025 pritet të jetë 17.945,622 euro, që krahasuar me vitin e kaluar është në rritje për 1 milion e 292 mijë e 431 euro ose për 7.76% më i lartë. Kurse buxheti në vitin 2026 do të jetë 18.833,576 euro e në vitin 2027 do të jetë 19.696,968 euro. Drejtoresha Ajeti theksoi se rritje është reflektuar në grantin e përgjithshëm në vlerë prej 571,047 euro, rritje në grantin specifik të arsimit në vlerë prej 286,421 euro, rritje në grantin specifik të shëndetësisë 193,977 euro, kurse total grantet kanë rritje prej 1 milion e 51 mijë e 805 euro. Sa i përket të hyrave komunale, kanë shënuar rritje në krahasim me vitin 2024 për 240,625 euro. Kjo pikë rreth projekt buxhetit, u votua për tu proceduar tutje në mbledhjen e Kuvendit Komunal javën e ardhshme. Ndërkohë, në këtë mbledhje, anëtarët e KPF-së shqyrtuan edhe propozim rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba, propozim vendimin për planin e punës së Kuvendit komunal të Vitisë për vitin 2025, si dhe propozim vendimin për aprovimin e buxhetit të participuar nga fermerët përfitues. Gjithashtu në këtë mbledhje u përfshijnë edhe dy pika të reja që njëra kishte të bënte me informatën e auditorit të jashtëm dhe një pikë tjetër për transferimin dhe alokimin e programeve buxhetore mes projekteve.