Ahmet Qeriqi: Fëmijët e luftës, shpresa e ardhërisë sonë po improvizojnë UÇK-në (E diel 20 shtator 1998)

Ahmet Qeriqi: Fëmijët e luftës, shpresa e ardhërisë sonë po improvizojnë UÇK-në (E diel 20 shtator 1998)

Një ditë e qetë vjeshte. Këtu në shtëpinë e moçme ku jam lindur kam filluar ta kontrolloj fletorën e shënimeve të kësaj kronike. Edhe pse jam munduar me çdo kusht që realitetin ta prezantoj me të gjitha dimensionet, nuk po arrij për shkak të mungesë së informimit nga zonat e tjera të luftimeve. Megjithatë  shënimet pasqyrojnë gjendjen e përgjithshme të zhvillimit të ngjarjeve. Këtë punë nuk do ta ndërpres për së gjalli. Le të mbetet për brezat, nëse ne nuk arrijmë ta gëzojmë lirinë e Kosovës.

Jeta në fshat ka filluar të rigjallërohet. Zëra të fëmijëve dëgjohen kudo. Zamiri, Iliri, Valmiri, Dardani, Elmiu e të tjerë kanë marrë hov drejt pozicioneve të reja. Ata e kanë themeluar njësitin e tyre dhe tërë ditën improvizojnë luftime, sulme e të tjera. Diku te Varrezat t e Lagjes sonë kanë sajuar edhe një bunker…

Gryka tani për tani është zbrazur. Atje ka mbetur vetëm Sejdi Elezi me familje i cili përkujdeset për ushtarët e Togës të Karaçicës, të cilët e bëjnë vëzhgimin në ato anë. Ai është vendosur në tendën e rregulluar me çadër dhe të izoluar mirë të Aziz Hamdiut në kthesën e parë në hyrje të Grykës së Shpëtimit.

Rreth mesditës kanë ardhur dy ushtarë të Abrisë dhe drejtoresha e shkollës së Nekocit, Hilmie Plakiqi. I sapoardhuri quhet Idriz Hyseni nga Abria, luftëtar i radhave të para të UÇK-së. Në fillim të luftimeve ka komanduar njësitet në Budakovë, ndërsa tani është sistemuar në batalionin. Imer Alushani të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova. Duket se është një kuadër i fortë, ndërsa fakti se ka qenë i burgosur për veprimtari antijugosllave e bën edhe më të besueshëm për popullin dhe ushtarët. Gjatë bisedës me Idrizin mësoj se forcat serbe po përgatiten për një ofensivë në shkallë të gjerë. Ai, ka ardhur me detyrë ta hulumtojë terrenin. Që në rast nevoje këndej të vendoset kreu i Shtabit të Përgjithshëm.

Pasi kemi drekuar, me Elezin jemi nisur në drejtim të Grykës. Atje kemi takuar një oficer të ri, i cili quhet, Shaban Draga. Ai ka ardhur me qëllim që të takohe veçmas me Luanin,  i cili nuk i përfillë takimet në shtab dhe në këtë mënyrë po na shkakton dyshime te  kreu i luftës.

Shabani mbanë një kapelë të armatës shqiptare dhe sipas të gjitha gjasave është futur në luftë nga vija e ashtuquajtur qeveritare. Nëse vërtetohet se është kështu, me siguri se do të ballafaqohet me vështirësi, sepse ndër ushtarët tonë është krijuar një averzion i përgjithshëm kundër ish oficerëve që deri tani kanë qëndruar në Tiranë,dhe kur ndonjëri prej tyre hyn në luftë, ai kërkon të komandojë, edhe pse nuk e kanë fare në zemër të dalin në pikat e luftimeve. Mbase ky nuk është i tillë. Koha do ta provojë.

Më vonë në shtëpinë tonë në Krojmir nga Shtimja ka ardhur edhe babai im Aliu  së bashku me Nazmi Iballin dhe me Hajredin Gashin, babain e Farukut. Ndërkohë Nazmiu dhe Hajredini janë kthyer, ndërsa baba ka mbetur në shtëpi.

Baba më ka treguar për propagandën e keqe të cilën po e bëjnë në Shtime sidomos nipat tanë, shumica e Hysiqëve dhe kreu i LDK-së. Ai rrëfen se si Q., përhapë gënjeshtra se unë paskam ikur në Shqipëri. Pastaj një farë truthari një R. Y,  demonstron hapur nëpër rrugë duke e sharë UÇK-së dhe duke bërtitur – Ku asht UÇK-a tash. (…pesë rreshta të koduar)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …