Qeveria-Kurti po përpiqet që të gjitha dështimet gati 4 vjeçare, mos realizimin as dhjetë për qind të premtimeve elektorale, shpërfilljen e në disa raste edhe konfrontimin me aleatët më besnikë të Kosovës, t’ i lë nën hije duke i mëshuar fortë telit se e paska kthyer sovranitetin në veri, të cilin nuk e paskan bërë qeveritë paraprake.
Albin Kurti e di mjaft mirë se kush e ka sovranitetin dhe kontrollin e sigurisë në veri. E di se për veriun madje edhe për tërë Kosovën, de iure ende është e vlefshme Rezoluta 1244 e KS të OKB-së, mandatin e së cilit përditë na e përkujtojnë autoritetet më të larta të KFOR-it dhe përgjithësisht autoritetet ndërkombëtare.
Për ta kthyer sovranitetin e pretenduar, fiktiv dhe të papranuar nga 99 për qind e serbëve që jetojnë atje dhe përbëjnë shumicën në katër komunat e veriut, Policia e Kosovës ka pasur mbrojtjen nga forcat paqeruajtëse të kësaj force të NATO-s, të cilat në shumë raste janë kacafytur vetë me protestuesit dhe bandat serbe duke marrë plagë e jo në pak raste duke humbur edhe jetët e tyre.
Mos akordimi i veprimeve në veri ka bërë që Qeveria e Kosovës të bie ndesh me faktorin ndërkombëtar veçmas me Amerikën dhe BE-në që ka rezultuar edhe me vendosjen e sanksioneve, për herë të parë në historinë e vendit.
Se deri ku ka sharruar Albin Kurti në konfrontim me autoritete ndërkombëtare po sjellim disa shembuj, të cilët ilustrojnë më së miri, situatën gjithnjë e më të rënduar dhe rrezikun permanent për të ardhmen e vendit.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, profesori Dejvid Kanin ka theksuar se Kosova po udhëhiqet nga një kryeministër, me të cilin askush nuk dëshiron të bashkëpunojë. Kanin vlerëson se përplasja e Albin Kurtit me perëndimin po e favorizon Serbinë, e cila ka përfituar në diplomaci dhe është shndërruar në një aktor kyç në rajon. Ai ka komentuar aksionin e fundit të Policisë së Kosovës për mbylljen e objekteve të pa licencuara, i cili është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian si veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar. Ambasada amerikane në Prishtinë e cilëson këtë aksion si rrezik për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Insistimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe përgjithësisht i Qeverisë së tij për ‘ngulitjen’ e sovranitetit të policisë dhe administratës së Kosovës, në veri, parimisht nuk mund të injorohet as të kundërshtohet, po realisht krejt kjo ka prapa farsën në vazhdim të mashtrimit për zgjedhjet e përgjithshme, sepse, Kurti më mirë se askush tjetër e di se manovrimet e tilla, nuk e ngulitin dot pushtetin e Kosovës në Veri, pasi që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, krejt këto veprime i kthen në pikën zero, madje merr edhe shumëçka në komunat serbe brenda vendit e jo vetëm në veri.
Mirëpo këto veprime kanë ndikim të keq në tërë vendin meqë, asnjërën nga këto nuk i pranon BE-ja, Amerika, Gjermania, Franca, Italia dhe asnjë shtet tjetër, për me tepër, ata do të vazhdojnë ta përkrahin insistimin e Serbisë, për autonominë e serbëve në Kosovë. Serbia vazhdon të paraqitet si viktime, me qëllim që ta përforcojë mbështetjen ndërkombëtare jo vetë të Rusisë por edhe të BE-së e të Amerikës.
Në reagimet e fundit pasi Policia e Kosovës ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë, në veri të Kosovës gjatë një aksioni në vazhdim, autoritetet ndërkombëtare jo vetëm që nuk janë pajtuar me veprime tilla, por kanë shprehur kundërshtime të fuqishme.
Ambasada amerikane në Prishtinë, ka shprehur zhgënjim të thellë lidhur me vendimin e njëanshëm të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e degëve të Postës Serbe në katër komunat e veriut. Ky veprim është cilësuar si përshkallëzues dhe i pakoordinuar, duke kërkuar që të rikthehet procesi i dialogut i ndërmjetësuar nga BE-ja. Aksionet pakoordinuara të Kosovës vënë në rrezik qytetarët dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë tensionin në rajon dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm rajonal.
Edhe BE-ja kritikon mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri, i bën thirrje Kosovës për zgjidhje të negociuar. Në një deklaratë për medie zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, theksoi se veprime të tilla nuk ofrojnë zgjidhje për çështjet që ndodhen në kuadër të Dialogut.
Autoritetet e KFOR-it në vendin tonë, kanë deklaruar dhe kanë rikonfirmuar se çdo vendim mbi hapjen e Urës së Ibrit, duhet të ndjekë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë. KFOR-i ka nënvizuar se ka një prani të përhershme në urë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë. Misioni do të ndërhyjë në rast se ndodhin zhvillime që mund të rrezikojnë mjedisin e sigurisë. Ndërkohë, institucionet e Kosovës, pa i marrë parasysh vërejtjet e ndërkombëtarëve kanë kryer inspektime dhe testime fizike mbi qëndrueshmërinë e Urës së Ibrit.
Ky është realiteti që aktualisht po mbretëron në vend, ndërsa kryeministri sillet me komoditet dhe nuk i bën syri vërr, jo sepse është trim, dhe as mund të shitet trimëri e tillë me forcat dhe faktorë ndërkombëtarë, pasi është shumë i sigurt se derisa të ketë forca të NATO-s në Kosovë, ato do ta ruajnë status-quonë, do ta ruajë paqen e sigurinë, deri atje ku mund të ruhet, jo për kapriciozitetet dhe për prepotencën arrogante, delirante të Albin kryeministrit, por për tërë popullatën, pa dallime etnike. Kurti vazhdon të jetë këndes në qerre…Atij për asgjë nuk i bëhet vonë, përveç zgjedhjeve për të cilat me mendjelehtësi beson se do t’ i fitojë.
Ndërkohë, Serbia ka intensifikuar angazhimet me Gjermaninë dhe Francën, në një përpjekje për të forcuar pozitat e saj strategjike. Kancelari gjerman Olaf Scholz ka nënshkruar një marrëveshje për eksporte të mineralit të rrallë të litiumit me Serbinë, ndërsa Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka kërkuar të blejë 12 aeroplanë luftarakë nga Franca. Këto angazhime janë interpretuar nga disa ekspertë si përpjekje për të tërhequr Serbinë nga ndikimi rus. Profesori amerikan Charles Kapçan ka deklaruar për Zërin e Amerikës se këto marrëveshje nuk duhet të interpretohen si një zhvendosje të Serbisë në krah të Perëndimit, pasi ajo vazhdon të manovrojë me kujdes midis fuqive të ndryshme globale, përfshirë Rusinë dhe Kinën, dhe nuk ka treguar ende një përkushtim të plotë ndaj Perëndimit.
Sa mund të qëndrojë ‘sovraniteti’ i Kosovës në veri pa Amerikën, BE-në dhe NATO-n
Se sa mund të qëndrojë ‘sovraniteti’ i Kosovës në veri, pa Amerikën, BE-në dhe NATO-n, këtë më së miri i di Qeveria dhe Kurti në krye të saj, por kjo nuk bie ndesh me politikën mashtruese të tij, për qëllime përfitimesh politike, tani më parapërgatitje për ato elektorale. Ai me retorikën e tij difuzive përditë propagandon për të arriturat, pavarësisht sa janë reale dhe të qëndrueshme ato. Duke folur për aksionet në veri, Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kritikoi kryeministrin. Albin Kurti për politikat e tij në këtë drejtim duke theksuar se veprimet e tij të njëanshme dhe mungesa e koordinimit me aleatët ndërkombëtarë kanë dobësuar pozicionin e Kosovës. Ai e akuzoi Kurtin për ndjekjen e politikave të “shou-bizit”, të cilat, kanë fuqizuar Serbinë dhe kanë dobësuar marrëdhëniet strategjike të Kosovës me aleatët e saj. Veprimet e Kurtit kanë inkurajuar presidentin serb, Vuçiq të ndërmarrë veprime kërcënuese, në Banjskë. Ramush Haradinaj, ka akuzuar Vetëvendosjen për bashkëpunim me kryekriminelin serb, Milan Radojçiq, duke përmendur bisedat e kryetares së Grupit Parlamentar të kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila, me Radojçiqin. Ai rikujtoi se gjatë kohës kur ishte kryeministër, Radojçiq u largua nga Kosova dhe nuk guxonte të vepronte në veri të vendit. Radojçiq ndërtoi vilën e tij dhe zhvilloi biseda me zonjën Lila për vota, konkretisht për të mos përfshirë veteranët e UÇK-së në pagën minimale. Janë po ata që kanë votuar bashkë me Listën Serbe kundër veteranëve në parlament dhe tani pretendojnë se kanë çliruar veriun, ka saktësuar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.