Ahmet Qeriqi: Ndodhi të papritura në Prishtinë. Jep dorëheqje Adem Demaçi (E hënë 21 shtator, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi të papritura në Prishtinë. Jep dorëheqje Adem Demaçi (E hënë 21 shtator, 1998)

Vazhdimisht po bën një mot i lig me shi.

Mundësia e qëndrimit të Grykë tanimë është kurrëfare. Çka do të ndodhë nëse  do të detyrohemi sërish të kthehemi,  ku kemi qenë?

Ndërkohë askujt nuk i shkon ndërmend që tani për tani të përforcohen tendat dhe të rregullohen në rast nevoje.

Në lajmet e mëngjesit mësoj se Adem Demaçi, përfaqësuesi politik i SHP të UÇK-së, për shkaqe shëndetësore ka dhënë dorëheqje nga funksioni dhe nga të gjitha detyra e tjera. Është një lajm i papritur, por i akordon temperamentit të Demaçit. Nuk mund të jetë shkak shëndeti, këtë e dinë të gjithë por është ndonjë papajtueshmëri apo ndonjë  taktikë e tij.

Pikërisht gjatë këtyre ditëve kam hetuar edhe një dukuri tjetër të pamirë. Me rastin e ardhjes të disa ish oficerëve shqiptarë që kanë shërbyer në armatën jugosllave. Po bëhen përpjekje që ata të marrin komandën në hierarkinë e operativës. Ata si duket nuk janë të vetëdijshëm se ushtarët tanë tanimë natyrshëm janë graduar në luftë ballë për ballë me armikun. Ata nuk ia kanë më frikën serbit. Për mendimin tim është krejt i panatyrshëm veprimi i tillë. Te e fundit, duhet pyetur këta oficerë a kanë gatishmëri që të shtyhen në front me ushtarët tanë, tani edhe eprorë, që artin luftarak nuk e kanë mësuar nëpër libra por në frontet e luftës çlirimtare, disa nga ata edhe me një veprimtari shumëvjeçare në UÇK.

Koha së shpejti do të vërtetojë se kush është për luftë të vërtetë çlirimtare dhe kush ka ardhur për karrierë. Nuk është për t u nënçmuar guximi i këtyre oficerëve, por mendoj se paraprakisht duhet të sprovohen.

Zhvillimet e fundit në Shqipëri si duket kanë marrë rrjedhë stabilizimi. Kreu mbrojtës i vendit kësaj radhe veproi energjikisht dhe i shpëtoi institucionet. Ka gjasa të qetësimit të situatës edhe pse dy krerët aktualë të pozitës dhe të opozitës vazhdimisht paraqesin rrezik për të ardhmen e vendit.

Gjendja e popullatës nëpër zonat që i mbanë nën kontroll Ushtria Çlirimtare e Kosovës është shumë e rëndë. Megjithatë deri tani jemi gjendur disi, por si do t ia bëjmë gjatë dimrit?

Situatë e nderë është në Drenicën Qendrore dhe në Neredime. Është çështje orësh kur do të fillojë ofensiva.

Ne, tani për tani ndodhemi të rrezikuar nga baza serbe te Godenët në Karaçicë dhe nga  vija e forcave serbe në relacion Qafë e Duhles-Kleçkë.

Ka ardhur për të biseduar Shemsi Olluri, djali i Fadil Ollurit, lidhur me ndihmat humanitare që po i shpërndanë dega e Shalës e Nënë Terezës. Ai është anëtar i kësaj dege dhe tregon se ka gatishmëri për të ndarë ndihma për popullatën apo në emër të popullatës. Shemsiu i ka dy vëllezërit në ushtri. Milazimi i takon radhëve të para por për shkak të mosmarrëveshjeve me Luanin, Ramiz Qeriqin,  ai është caktuar në pikën ushtarake të Tërpezës. Është ushtar i përkushtuar. Shemsiu është  ndryshe, edhe pse nuk ka bërë ndonjë dëm ai për veten e tij mbanë qëndrim të vetin… ( Gjashtë rreshta të koduar)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Trazira në Shqipëri pikërisht në kohën e ofensivave shkatërrimtare serbe në Kosovë (E hënë 14 shtator, 1998)

Ahmet Qeriqi: Trazira në Shqipëri pikërisht në kohën e ofensivave shkatërrimtare serbe në Kosovë (E hënë 14 shtator, 1998)

Zbardhi edhe një ditë e re me halle e derte të vjetra të përditshmërisë gjithnjë …