Në Deçan u mbajt Konferenca e Dytë e Forumit Ekonomik Rajonal – Dukagjini (FER-D) “Perspektivat dhe Strategjitë për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Qëndrueshëm Rajonal në Epokën e Digjitalizimit”, organizuar nga Universiteti “Haxhi Zeka” dhe Komunat e rajonit të Dukagjinit.
Në konferencën e dytë morën pjesë Kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj, përfaqësues nga Ministria për Zhvillim Rajonal, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Komuna e Pejës, Gjakovës, Deçanit, Junikut, Istogut, Klinës, Rahovecit, bizneset etj.
Të pranishmit u përshëndetën nga nikoqiri i konferencës, Kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.
Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, nënvizoi rolin e universitetit në përgatitjen e kuadrove të rinj, të përgatitur për tregun e punës dhe mbështetjen e institucionit që përfaqëson në përkrahje të misionit të tretë të institucioneve të arsimit të lartë, që është kontributi në shoqëri.
Zv. Ministri i Ministrisë për Zhvillim Rajonal, z. Ali Tafarshiku, vlerësoi rëndësintë e projekteve të përbashkëta për përparimin ekonomik, ndërsa zv. Ministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, z. Resul Makreshi, theksoi rolin kyç të politikave inovative për nxitjen e sipërmarrjeve dhe rritjen e konkurrencës në nivel lokal dhe rajonal.
Në këtë konferencë u diskutuan tema kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm rajonal në epokën e digjitalizimit. Nga sesionet e mbajtura në Qendrën Rinore të Deçanit, dolën përfundime dhe rekomandime të rëndësishme për të ardhmen e Dukagjinit.
Sesioni i parë u përqendrua në ndërkombëtarizimin dhe përfshirjen digjitale, duke nxjerrë në pah rëndësinë e inovacionit për ekonominë lokale. Prezantimet nga z. Kesra Nermend, z. Tahir Shabani dhe znj. Fjolla Restelica Ahmeti sollën ide konkrete për kërkim, zhvillim dhe bashkëpunim.
Sesioni i dytë trajtoi përmirësimin e strategjive lokale, ku drejtorët e komunave për zhvillim ekonomik ndanë përvojat dhe mundësitë e reja për bashkëpunim. Drejtori për Zhvillim Ekonomik i Komunës së Deçanit, z. Isuf Demhasaj theksoi rolin që ka universiteti dhe bizneset në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik rajonal.
Sesioni i tretë u përqendrua në rolin e komunave dhe universitetit për nxitjen e inovacionit dhe forcimin e bizneseve lokale. Përfaqësues nga Birra Peja dhe Oda e Hotelerisë sollën një perspektivë të re mbi sfidat dhe mundësitë në epokën digjitale.
Objektivat për të ardhmen përfshijnë bashkëpunimin për hartimin e planeve strategjike, digjitalizimin e hartëzimit të bizneseve dhe projekte të reja për zhvillim të përbashkët, zgjerimin e FERD-it me komuna të tjera, si dhe ndërkombëtarizimi i tij.