Në një deklaratë të Forumit Intelektual thuhet se emërimi i një veterineri në postin e zëvendësministrit të Arsimit, në Kosovë, ngre pikëpyetje të rëndësishme rreth drejtimit dhe vizionit që Qeveria Kurti ka për arsimin. Ndërsa arsimi është themeli i një shoqërie të zhvilluar, një vendim i tillë duket se tregon një mungesë të theksuar serioziteti dhe profesionalizmi në qasjen ndaj këtij sektori jetësor. Pa paragjykuar profesionin e tij apo njohuritë në fushën e veterinarisë, ku Arsim Ademi mund të jetë një ekspert i shkëlqyer, pyetja mbetet: çfarë lyp një veteriner në menaxhimin e arsimit? Arsimi kërkon ekspertizë specifike, vizion dhe përvojë të gjatë në politikëbërjen arsimore. Të ngarkosh një individ pa eksperiencë dhe ekspertizë të veçantë në fushën e arsimit për të formuar politikat arsimore të vendit është një sinjal i qartë se arsimi nuk po shihet si një prioritet kombëtar.
Zgjedhja e tij nuk është vetëm një shembull i paaftësisë për të identifikuar kandidaturat e duhura, por një tregues i krizës së vlerave që po përjeton sistemi arsimor në Kosovë nën këtë qeveri. Në vend që të ndërtojmë një sistem arsimor të bazuar në merita, profesionalizëm dhe vizion afatgjatë, ky emërim duket si një reflektim i politikave klienteliste dhe një përpjekje për të plotësuar kuotat politike në kurriz të cilësisë së arsimit. Ky veprim është një ofendim për mijëra mësues dhe akademikë të kualifikuar që kanë punuar për vite për të ngritur nivelin e arsimit në vend dhe që tani shohin se sistemi arsimor po degradohet për shkak të mungesës së udhëheqjes së duhur.
Nëse arsimi i Kosovës do të udhëhiqet nga njerëz që nuk kanë as ekspertizë as përvojë në këtë fushë, atëherë si mund të presim përparim dhe zhvillim? Kjo është një qasje që minon besimin e qytetarëve në institucionet e vendit dhe që, për fat të keq, dëmton të ardhmen e gjeneratave të reja.