USAID dhe komuna e Vitisë me projekt të përbashkët për funksionalizimin e kabineteve në SHMLM “Kongresi i Manastirit”në Pozheran dhe krijimin e mundësive për vetëpunësimin e grave me aftësi të kufizuara

Në Shtëpinë e Kulturës në Viti, janë mbajtur dy konsultime publike lidhur me Agjendën e Kontratës Sociale, të organizuara nga USAID dhe Komuna e Vitisë. Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues të Institucioneve komunale, drejtoritë, stafin profesional dhe qytetarët, që me fokus kishte zhvillimin e arsimit dhe mundësitë për vetëpunësim.

Diskutimi i parë me qytetar, përfshinte funksionalizimin e kabineteve për mësim dual në SHMLM “Kongresi i Manastirit” në Pozheran. Drejtoresha për Arsim në Viti, Arta Ajeti, në pika të shkurtra njoftoi për takimet e mbajtura paraprakisht me grupet e përfshira si nxënësit, këshillin e shkollës, kryetarin e këshillit të prindërve etj, ku janë identifikuar nevojat që ka SHMLM “Kongresi i Manastirit” në Pozheran. Ndërsa drejtori i kësaj shkolle, Mufail Halabaku, prezantoi projektin dhe pajisjet e nevojshme për këtë iniciativë, duke shtuar më tej për rëndësinë e avancimit të infrastrukturës shkollore për të përmirësuar mësimin praktik.

Në fjalën e tij përshëndetëse, zv.kryetari i komunës së Vitisë Hasan Aliu, përgëzoi nxënësit dhe stafin e shkollës për këtë projekt dhe falënderoi përfaqësuesit e USAIDI-it për përzgjedhjen e Vitisë që të jetë pjesë e këtij projekti. Kurse përfaqësuesja e USAID-it Vjendita Avdiu Musliu, bëri të ditur se është kaluar nëpër disa punëtori të organizuara dhe një mori takimesh të tjera deri në identifikimin e nevojave me prioritare të projektit siç është edhe funksionalizimi i kabineteve të shkollës së mesme në Pozheran. Asamblisti i Kuvendit Komunal, Jakup Demiri, përgëzoi nxënësit dhe stafin arsimor të shkollës së mesme “Kongresi i Manastirit”për këtë projekt duke e cilësuar si shumë të domosdoshëm, ndërkohë kërkoi që në të ardhmen të i jepet prioritet projekteve që vërtet janë domosdoshmëri dhe prekin mirëqenien qytetare të çfarëdo kategorie qofshin ato.

Ndërsa në diskutimin e dytë u fol mbi aftësimin profesional dhe krijimin e mundësive për vetëpunësimin e grave me aftësi të kufizuara. Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bashkë me Drejtorinë e Arsimit dhe zyrtaren për barazi gjinore, Ibadete Hyseni, udhëhoqën këtë konsultim. Në këtë takim u fol edhe për krijimin e një databaze me të dhënat e personave me aftësi të kufizuara dhe digjitalizimin e tyre në Handikos. Lidhur me këtë temë, Fitim Sadiku prezantoi një bazë të dhënash në Google Form se si mund të bëhet regjistrimi i tyre me të dhënat tjera, duke përfshirë kategorizimin e aftësive të personit që merret për bazë diagnoza mjekësore, shkollimi, aftësia për punë etj. Synim i këtij projekti është trajnimi apo organizimi i një kursi për aftësim në rrobaqepësi, që ka për qëllim fuqizimin ekonomik të grave me aftësi të kufizuara.

Këto konsultime janë pjesë e përpjekjeve të Komunës së Vitisë dhe USAID për të përfshirë qytetarët në vendimmarrje dhe për të avancuar projekte që përmirësojnë cilësinë e jetës në komunitet.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Skenderajt Fadil Nura, ka pritur në takim përfaqësues nga kompania KESCO

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, bashkë me drejtorët komunalë Driton Mulaj e Alban …