Në lajmet e hershme të mëngjesit bëhet e ditur se mbrëmë vonë, Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka miratuar një rezolutë kundër Jugosllavisë, e cila, është e detyruar t`i ndërpres të gjitha luftimet. Ushtria e policia duhet të tërhiqen në kazerma. Popullata e zhvendosur duhet të kthehet nëpër shtëpitë e tyre, për të parandaluar kështu atë që quhet katastrofë humanitare. Në rezolutë nuk bëhet fjalë se ku do të kthehen ata të cilëve iu kanë rrënuar shtëpitë dhe iu është djegur tëtë pasuria e patundshme. Në rezolutë parashihet që të gjitha çështjet të zgjidhen me marrëveshje politike, meqë nënvizohet se nuk do të ketë, as nuk do të lejohet zgjidhja ushtarake. Mospërmbushja e këtyre kërkesave nga ana e Jugosllavisë do të rezultonte me kërcënim për intervenim ushtarak të NATO-s.
Si duket kësaj radhe është fjala për një kërcënim më serioz, edhe pse dyshoj që Milosheviqi do ta përfillë këtë rezolutë. Ai është bërë imun ndaj kërcënimeve dhe nuk besoj se do t`i bëjnë gjithaq përshtypje. Fakti se këtë rezolutë e ka miratuar edhe Rusia, do të thotë se ai mund të manovrojë në kohë deri te rezoluta tjetër vijuese. Tani, nga autoritetet e caktuara ndërkombëtare presioni do t`i bëhet edhe Rugovës dhe klasës së tij mjerane, për të nisur ndonjë vajtje ardhje të re për në Beograd, me qëllim të arritjes së ndonjë marrëveshjeje…
Rezoluta e sapo miratuar po granatohet nga armata serbe, e cila me të njëjtin intensitet po i vazhdon luftimet në Drenicë. Si duket serbët janë edhe më të egërsuar në këtë drejtim dhe aq iu bën për do farë rezolutash. Te e fundit për të intervenuar ushtarakisht kundër UÇK-së ata e kanë marrë pëlqimin paraprak edhe të disa qarqeve vendimmarrëse botërore.
Po bëjmë përpjekje për ta aktivizuar sa më parë kuzhinën ushtarake në fshat. Elezi, Heseti dhe Dani po punojnë dhe kanë caktuar vendin në një shtëpi afër lumit të fshat.
Në një takim të veçantë që kam pasur me Jetë Hasanin dhe Ajvaz Karpuzin kam mësuar se dy policë ushtarakë të cilët janë caktuar nga shtabi… ( 10 rreshta të koduar)
…
Në mbrëmje jam takuar edhe me Hyzer Gashin i cili një muaj e gjysmë më parë është arrestuar nga serbët por është liruar si duket me ndonjë intervenim, apo vëllezërit kanë dhënë sasi të konsiderueshme të parave. Qëndrimi një muaj e gjysmë në burg dhe lirimi janë gjëra të kushtëzuara. Hyzeri me siguri se ka folur gjerë e gjatë lidhur me organizimin, por tani kjo nuk edhe aq rëndësi për situatën. Ai aktualisht po qëndron në Davidovc së bashku me familjen e gjerë, ndërsa Besimi dhe Yzi ndodhen në Pjetërshticë, ku kanë filluar sërish punën e tregtisë.
Ndodhemi në luftë dhe kush çka ka folur nën kërcënim para hetuesisë nuk ka më vlerë. Pak më vonë bëhet e ditur se policia vendore e Shtimes e ka arrestuar Nazmi Iballin. Është ky një lajm i keq, jo për rrezikun tonë por për vet Nazmiun të cilin mund ta dërrmojnë, nëse nuk i tregon lëvizjet të cilat ata me siguri se i dinë. Dikush nga të pranishmit thotë se herën e fundit Nazmiu i ka sjellë edhe pagat e arsimtarëve. Ky fakt mund ta shpëtojë nga situata sepse këtë serbët mund ta verifikojnë me lidhjet e tyre aktuale në Pjetërshticë.
Naim Ismajli me disa ushtarë ka depërtuar në Zonën Operative të Jezercit. Me rastin e rikomponimit ushtarak të njësive, Naimi është caktuar përgjegjës i njësisë ushtarake në Pjetështicë ku ndodhen afër 40 ushtarë.
Në mesin e këtyre ushtarëve ka edhe disa me të kaluar jo edhe aq të pastër por tani nuk është koha e diferencimeve. Mendoj se duhet intervenuar vetëm në raste të veçanta, për ndonjë vepër të rëndë të bashkëpunimit, sikur është vepra e pështirosur e disave… (5 rreshta të koduar).
Në Blinajë vepron edhe një ish oficer aviacioni i ushtrisë jugosllave. Ai nuk i bindet urdhrave të komandës dhe vepron me një grup kushërinjsh nga fshati i tij. Gjithçka flitet për të. Thuhet se ai vazhdimisht mbanë kontakte me policinë në Magurë. Askush nuk e ka dëshmuar me fakte, por as ai nuk e ka mohuar kurrë.
Duhet pasur kujdes sidomos tani kur serbët mundohen të gjejnë bashkëpunëtorë edhe në fushën e politikës. Si duket ata ë kanë futur të vetët me kohë në radhët tona. Për këtë nuk dyshon askush, por duhet shumë vigjilencë.