Arsim Mehmeti: BETEJA KUNDËR TERRORIT SERB, NDERIME HEROIT AFRIM BUNJAKU

Sot u mbush një vit nga sulmi terrorist serb në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës. Akti i paprecedent i 24 shtatorit 2023 tronditi tërë Kosovën dhe qytetarët e saj, që nga përfundimi i luftës në qershor të vitit 1999 dhe çlirimi nga okupimi shekullor serb.
Sulmi terrorist u organizua dhe u drejtua nga krimineli Milan Radoiqiq, nënkryetar i Listës Serbe, i kërkuari për arrestim nga Policia e Kosovës, si dhe njëherësh person në listën e zezë të SHBA-ve. Ky grup vendosi pritë pranë manastirit të fshatit, ku qëlloi me armë të rënda ndaj patrullës së Policisë së Kosovës, duke vrarë oficerin Afrim Bunjaku dhe plagosur një koleg të tij.
Policia e Kosovës rrethoi dhe neutralizoi disa prej anëtarëve të grupit terrorist, duke shmangur me profesionalizëm dhe sukses të jashtëzakonshëm një konflikt të mundshëm në ambientet e manastirit. Ky i fundit ishte përdorur për të grumbulluar një arsenal të madh ushtarak të sjellë nga Serbia për të përgatitur pushtimin e veriut të Kosovës dhe për t’ia bashkuar Serbisë.
Agresioni i Serbisë më 24 shtator 2023 ndaj Republikës së Kosovës u dokumentua edhe nga pamjet e dronëve, të cilat treguan grupin terrorist të strehuar në manastir dhe më vonë largimin e tyre në pikë dite drejt kufirit me Serbinë pa i penguar askush, as nga forcat tona të sigurisë e as nga KFOR-i, si iu lejua korridori në vend se t’i kapin apo neutralizojnë ata kriminelë që gjetën strehën në Serbi, e cila mbajti zi për kriminelët megjithëse Radoiqiqi kishte deklaruar se e merr përgjegjësinë e sulmit.
Përgjegjësia e forcave ndërkombëtare, sidomos e KFOR-it, është një tjetër pikë kyçe në këtë incident. Ky mision, nën komandën e NATO-s, ka për detyrë të sigurojë stabilitetin në Kosovë, por dështimi për të parandaluar kontrabandimin e armëve dhe lëvizjen e grupeve të armatosura ka ngritur shqetësime serioze mbi efektivitetin e tij. A reagoi NATO që iu shkel territori i kontrolluar nga ta?!
Fakti që terroristët u strehuan në manastirin e Banjskës dhe ndihma që morën nga personeli kishtar përbëjnë një shkelje të normave ligjore dhe morale. Një tempull adhurimi u shndërrua në bazë terroristësh, duke rrezikuar seriozisht jetën e pelegrinëve të pafajshëm që ishin të pranishëm. Serbia historikisht ka inskenuar incidente duke i vrarë vetë qytetarët serbë për t’i fajësuar shqiptarët!
Për këtë akt terrorist dhe agresion paramilitar, përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi Serbinë dhe presidentin e saj kriminelin Vuqiq, si dhe të gjithë ata që morën pjesë në organizimin e këtij sulmi barbar. Ekstradimi i terroristëve që morën pjesë në këtë sulm është i domosdoshëm për të garantuar drejtësi për viktimat dhe për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla.
Më shqetësuese është mungesa e ndëshkimit ndërkombëtar dhe mungesa e sanksioneve nga Bashkimi Evropian ndaj Serbisë, e cila deri më tani është shteti i vetëm në Evropë që nuk e ka dënuar agresionin e Rusisë mbi Ukrainën. Ajo hapur po vazhdon armatosjen e saj dhe po mban ushtrinë të mobilizuar pranë kufirit me Kosovën, që përbënë kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Përkëdhelja e Serbisë nga fuqitë euroatlantike dhe marrëveshjet e tyre tregtare kohëve të fundit e fuqizojnë atë ekonomikisht, duke rritur rrezikun e një përshkallëzimi të konfliktit në të ardhmen, sepse Serbia nuk ngopet kurrë gjak shqiptari! Ndërkohë, BE-ja ka vendosur sanksione për Kosovën dhe ka hequr vizat për qytetarët serbë të Kosovës, duke shkelur sovranitetin e saj.
Ngjarjet e Banjskës tregojnë qartë sfidat e sigurisë në Kosovë dhe nevojën për një qasje të përbashkët nga autoritetet vendore dhe strukturat ndërkombëtare për të frenuar provokimet e Serbisë, që synojnë destabilizimin e Ballkanit. Dështimi për të ndëshkuar Serbinë për këtë akt terrorist përbën një kërcënim real për përsëritjen e terrorizmit edhe në të ardhmen.
Në një kohë kur tensionet ndëretnike janë të larta nga ndikimi i përhershëm armiqësor i Serbisë, është thelbësore që autoritetet e Kosovës në koordinim me aleatët ndërkombëtarë, të veprojnë me vendosmëri për të rikthyer besimin te qytetarët dhe për të garantuar një ambient paqësor dhe të sigurt në vend, me gjithë vështirësitë që janë evidente atje prej kur është vendos gabimisht apo qëllimisht KFOR-i në urën e lumit Ibër e jo në kufirin në mes Kosovës dhe Serbisë!
Hetimet duhet të vazhdojnë me intensitet të shtuar, si në nivel kombëtar ashtu dhe ndërkombëtar, për të vënë përpara drejtësisë sa më shpejtë të gjithë akterët e përfshirë dhe ata që ndihmuan dhe strehuan terroristët, për të siguruar që ata që kryen këto krime të dënohen në mënyrë të duhur dhe të merituar. Vetëm kështu do të parandalohen ngjarje të ngjashme në të ardhmen.
Rreziku nga Serbia mbetet i vazhdueshëm, ajo udhëhiqet nga e njëjta ideologji që udhëhoqi krimet e kasapit Millosheviq që i shkaktoi tragjedi Ballkanit me katër luftëra të përgjakshme gjatë viteve të 90-ta, vetëm gjatë luftës 1998/99 vrau dhe masakroi rreth 13 mijë shqiptarë të Kosovës. Kemi të bëjmë me shtetin gjenocidal të Serbisë, mos të harrojmë kurrë!
Lavdi e përjetshme heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku
Respekt i pakufishëm për Policinë e Kosovës

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Qeverisja ekonomike në shifra

Një përshkrim i asaj çfarë ka  në ekonomi brenda këtyre katër viteve : Po fillojmë …