Në ambientet e Albi Mall në Prishtinë, u hap Panairi i Grave Sipërmarrëse, një ngjarje e rëndësishme që e shënon bashkëpunimin e suksesshëm të bizneseve shqiptaro-gjermane. Kryetari i Unionit Shqiptaro-Gjerman – Dega në Kosovë, Shkelzen Jusaj, Drejtori Ekzekutiv i Unionit, Bekim Brestovci, sekretari Agim Kuleta, Fitore Osmani Muhaxheri, Drejtoresh e Marketingut në Albi Mall, ishin pjesë e rëndësishme e kësaj ngjarjeje.
Gjatë fjalës së tij, Shkelzen Jusaj theksoi rëndësinë e këtij panairi si një rezultat të përpjekjeve të përbashkëta për të mbështetur gratë sipërmarrëse. Ai shprehu mirënjohje për të gjitha gratë pjesëmarrëse, duke i falënderuar ato për angazhimin e tyre në ndërtimin e një shoqërie më të fortë dhe më të shëndoshë. “Ky aktivitet është vazhdimësi e punës së madhe që ka bërë Unioni. Historikisht, shoqëria ka anashkaluar gjininë femërore, por tani gratë janë shumë më prezente dhe janë baza e një shoqërie të shëndoshë. Ne duhet të lobojmë për bizneset dhe të nxisim iniciativat për të përballuar sfidat që hasim,” tha Jusaj. Ai përfundoi fjalimin e tij duke u uruar suksese të gjitha grave në aktivitetin e tyre të biznesit.
Drejtor Ekzekutiv i Unionit Shqiptaro-Gjerman, Bekim Brestovci, gjithashtu e theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje për gratë sipërmarrëse. Ai shprehu dëshirën që panairi të jetë një sukses për të gjitha gratë pjesëmarrëse, duke theksuar se shpreson që kjo të jetë një mundësi për lidhje të reja dhe për eksportimin e produkteve në Gjermani. “Uroj që ky të jetë një fillim i mbarë për të gjitha gratë pjesëmarrëse, dhe ju inkurajoj për arritje të tjera,” tha Brestovci.
Fitore Osmani Muhaxheri, drejtoreshë e Marketingut në Albi Mall, gjithashtu përshëndeti këtë ngjarje duke theksuar mbështetjen e madhe që ofrojnë për gratë që sjellin ide inovative. “Ne, së bashku, hapim dyert për biznese të reja dhe jemi të përkushtuar për t’i mbështetur ato,” tha ajo.
Një fjalë rasti pati edhe njëra nga gratë pjesëmarrëse të këtij panairi e cila kërkoi gjithashtu mbështetje për bizneset, duke theksuar se është e rëndësishme që të krijojmë një mjedis mbështetës për gratë sipërmarrëse.
Ngjarja përfundoi me prezantimin e shtampeve të ndryshme, duke ofruar një mundësi për gratë pjesëmarrëse që të tregojnë produktet e tyre dhe të ndajnë përvojat e tyre me të pranishmit. Panairi shërben si një platformë e rëndësishme për gratë që kërkojnë të avancojnë bizneset e tyre dhe të krijojnë lidhje të reja në tregun e Kosovës dhe më gjerë.
Panairi po mbahet në katin e tretë të Albi Mall dhe do të jetë i hapur deri më 6 tetor 2024.