Buxheti i Komunës së Ferizajt për vitin 2025 në vlerë prej 46 milion e 13 mijë euro

Kuvendi i Komunës së Ferizajt me shumicë votash ka miratuar buxhetin e Komunës së Ferizajt në vlerë prej 46,013,006 €.

Në këtë mbledhje ka marrë pjesë Kryetari i Komunës, Agim Aliu, kryesuesi i Kuvendit Xhavit Zariqi, nënkryetari i Komunës Lulzim Aliu, drejtorë të drejtorive komunale si dhe anëtarët e kuvendit.

Në fjalën e tij, Kryetari Agim Aliu, ka thënë se në agjendën e sotme të punës së Kuvendit të Komunës, në shqyrtim e diskutim, është dokumenti themelor i qeverisjes lokale, bazë e cila paraqet pikënisjen e punëve publike dhe dobisë së drejtpërdrejt për qytetarët, Projektbuxhetin për vitin 2025 si dhe projeksionet e hershme për vitet pasuese.

“Dokumenti që paraqitet para jush, është një pasqyrë që reflekton kërkesat e qytetarëve, projeksionet zhvillimore e nismat konkrete për Ferizajn që meriton secili ferizajas.

“Natyrisht, ky projekt buxhet për vitin 2025, në kufijtë e mundësive të saj, paraqet kulmimin e nevojave më të domosdoshme, zgjidhjeve të duhura, projekteve nga të cilat, buroi e po vijon, vala e pandalshme e transformimit rrënjësor të gjithë qytetit tonë, fshatrave tona, çdo lagje e çdo vendbanimi.

Andaj, në lartësinë e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë para qytetarëve, paraqesim brenda kësaj kornize, dhjetëra projekte, nisma, ide të përkthyera në sipër marrje institucionale, që shumëfishojnë mundësitë, mirëqenien e përparimin e Ferizajt e ferizajasve.

Përtej fjalëve e fjalive në varg, përtej shifrave të çdofaqshme të këtij dokumenti, reflektohet vizioni, energjia, guximi e cilësitë profesionale të qeverisjes sonë, për të garantuar shërbime e punë publike, cilësore e madhore për qytetin e fshatrat tona”, ka thënë Kryetari Aliu përderisa ka shtuar se Ferizajasve edhe sot, përmes kësaj ngrehine financiare vjetore, përmes projektbuxhetit të vitit 2025, i themi se PO: kemi edhe shumë ide, shumë nisma, pashterrshëm energji për ta bërë edhe më të begatë Ferizajn tonë.

“Janë mbi 100 projekte të rëndësisë kapitale, ato që përbëjnë faqet e këtij volumi para jush sot, të cilat të shtrira në kohë e në përllogaritje financiare, janë garancia e një Ferizaj krejt të sigurt, të palëkundshëm e të pandalshëm, në rrugën që kemi nisur për transformimin e madh e të shumanshëm. Buxheti i Komunës së Ferizajt për vitin 2025, arrin lartësinë në vlerën totale 46,013,006.00€ e që ndarë vetëm në fushën e investimeve kapitale kemi 12 milion e 328 mijë e 834 euro për projektet kapitale të Komunës së Ferizajt për vitin kalendarik 2025.

Përtej një akti formal, vendimmarrja për projektbuxhetin e vitit 2025, vesh me përgjegjësi dhe vendos në kalendarin e punëve publike, prioritetet e qytetarëve në 365 ditët e ardhshme.

Në kushte të tilla të vendimmarrjes së drejtpërdrejt për interesin e qytetarëve, jam besimplotë në autorizimin ligjor që do të marr nga ju, ky dokument sot. Me kujdesin më të plotë për shpenzimin e parasë publike, me qasje gjithëpërfshirëse, duke u shërbyer me analizë e konsultë publike, në këtë projektbuxhet, gjen veten secila kategori e shoqërisë, secili komunitet në secilën lagje e fshat përgjatë gjithë territorit tonë.

Në këtë mandat qeverisës, fokusi i skuadrës sonë qeverisëse, është përqendruar në projekte të gjelbërta, duke ndërmarr nisma transformuese, projekte që i japin dimension të ri hapësirave publike në Ferizaj, si pjesë e planeve investuese të Komunës së Ferizajt”, tha Aliu.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, në fjalën e tij ka përmendur edhe një sëre projektesh siç është rregullimi i Parkut “Liria”, rregullimi i Parkut në Kodrën e Sherreteve që tashmë kanë marr formën e po jetësohen dita-ditës.

“Qeverisja jonë, tash e disa vite, po zbaton edhe konceptin e miniparqeve, të cilat janë dëshmuar si zgjidhje të pëlqyeshme dhe tejet të nevojshme për komunitetin, kudo ku ato janë rregulluar deri më tani, për të vijuar edhe në vitin 2025 me rregullimin e disa prej tyre si në fshatin Prelez dhe Slivovë, si dhe mbjelljen e drunjve dekorativ, që vargun e shumëfishuar të investimeve në të gjelbërtën ta pasurojmë vazhdimisht.

Sa i përket infrastrukturës rrugore, kemi përgatitur gjithashtu një tablo të projekteve të reja, me ndikim të drejtpërdrejt për zhvillimin e përgjithshëm të Ferizajt.

Vepra që ka marr përmasa identitare për Ferizajn, në gjithë vendin, nënkalimi për vetura dhe këmbësorë tek Stacioni Policor, do të vijoj me punën e pandalshme në hapjen e segmenteve të reja rrugore, për t’u përfunduar në tërësi si një vepër publike e transformimit të madh të Ferizajt, si një vlerë e shtuar e zhvillimit të hovshëm e të gjithanshëm të Ferizajt. Punët transformuese infrastrukturore do të prekin edhe arteriet kryesore rrugore të qytetit si rikonstruktimi i rrugës “12 Qershori”, rrugëve “Besim Rexhepi” dhe “Rizah Matoshi”, rikonstruktimi i rrugës “Bedri Asllani” afër Nënkalimit të Ri, rikonstruktimi i rrugës dhe parkut tek Stacioni i Policisë në Ferizaj.

Po kështu, investimet do të orientohen edhe në vijimin e punëve në rikonstruktimin e rrugës “Tahir Sinani” ku tashmë veçse kemi filluar, për të kulmuar edhe me projektin e asfaltimit të rrugicave të qytetit, një projekt i rëndësisë së veçantë që e transformon në afatgjatë infrastrukturën rrugore të qytetit.

Projektet e rregullimit të infrastrukturës rrugore, do të shtrihen edhe në zona rurale, fshatrat e Ferizajt si projektet për asfaltimin e rrugëve në Zaskok, Mirash, Dremjak, Cërnillë, Surqinë, Rahovicë e Talinoc i Muhaxherëve”, tha Aliu.

U tha se janë paraprë edhe shumë investime në infrastkturën nëntëskore, ujësjllës dhe kanalzlim si dhe hapjen e puseve për një mori fshatrash.

“Në këtë kuadër, projekte madhore për trajtimin e ujërave të zeza, e të cilat përfshihen në planet tona investive janë edhe Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza – për të cilën kemi arritur edhe dakordimin me BERZH-in si dhe projekti për ndërtimin e kolektorit nga Lagja e Qiraxhinjve në Nikadin deri në Gurëz”, tha Aliu.

Ai ka folur edhe për investimet në shëndetësi dhe mirëqenie sociale, në fushën e arsimit, kulturës, rinisë dhe sportit, shërbimet publike, në planin e investimeve për bujqësi, zhvillimin ekonomik dhe turizmin, por edhe në fushën e administratës, pronës, kadastrit e gjeodezisë.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, poashtu ka thënë në ky projektbuxhet, ngërthen idetë e qytetarëve, kërkesat e tyre që derivojnë nga konsultimet publike, ngërthen vizionin tonë, analizën e vlerësimin e profesionistëve, që të vazhdojmë t’i japim Ferizajt, dimensione të reja zhvillimi duke hapur çdo ditë me punën tonë, shtigje të reja mundësish për të gjithë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti nderohet me mirënjohje nga MAPL dhe DEMOS

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, është nderuar me mirënjohje si qytetarë që bën …