Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: Armando Duka, në TV Klan, arsyeton bashkëpunimin me Serbinë?

Armando Duka, në TV Klan, arsyeton bashkëpunimin me Serbinë në sport dhe shton se më mirë se sporti, asgjë nuk na afron?! Logjikisht mund të perceptohet drejt, por kombëtarisht dhe strategjikisht është i gabuar dhe i dëmshëm!

Së pari, shkelet mbi Kosovën dhe gjakun e derdhur të shkaktuar nga Serbia! Nëse Serbia do të bënte hapa afrimi, duhej marrë me rezervë dhe analizuar qëllimin e tyre! Ishte kjo Serbi që gjatë gjithë historisë së saj ka ndikuar për ta grabitur dhe marrë Shqipërinë nën tutelën e saj! Atëherë kur bëri marrëveshjen me Esat Pashë Toptanin, mirë është ta lexojë çdo shqiptar, veçmas ti, Armando Duka!

Marrëveshjen me rastin e kthimit të Zogut në pushtet, si dhe gjithmonë deri në ditët e sotme! Pra, veprimi juaj dhe politika që ju arsyeton juve të sportit, është e gabuar, e nxituar dhe e ndikuar nga ata që duan ta çojnë ujin në mullirin e fqinjit!

Jemi dëshmitarë të kohës kur tifozët serbë brohorisnin: “Vrasje shqiptarëve”, “Vdekje për shqiptarët” dhe sulmi mbi futbollistët, duke prishur lojën me rrahje nga ana e tyre në Beograd! Po ashtu, në Londër u desh ndërhyrja e forcave policore angleze që të mos lejonin sulmet e tifozëve serbë kundër shqiptarëve! Kurrë qeveria apo politika serbe nuk u distancua apo nuk u korrigjua nga veprimet makabre shekullore ndaj shqiptarëve!

Armando, kupto: as me luajt, as me kënduar dhe as me qarë nuk bëhet bashkë me serbët! Tregoju edhe qeveritarëve aktualë dhe atyre që mund të vijnë, mirë që ta dinë këtë, nëse nuk kanë marrë mësime nga paraardhësit tanë!

Kështu fillojnë rrëshqitjet: së pari me sport, pastaj me federata sportive, më pas me festa, dhe dikur në tavolina me kupa të verërave e të alkoolit me ata që pinë gjakun e fëmijëve shqiptarë dhe këndojnë e urojnë “živeli”! Kështu ta kuptosh, Armando i “moderuar”, ngadalë-ngadalë, hap pas hapi, të njomin dhe të shtyjnë sa të duan ata serbët!

Nuk jam këtu për të kritikuar nga mllefi që kam për ta, as nga këndi personal, as nga nostalgjia ime e sëmurë, sepse unë jam i shëruar dhe plotësuar: kam vrarë dhe jam shfryer mjaftueshëm nga urrejtja! Tani flas si vëllai vëllait, ta këshillojmë arsyen, jo ndjenjat, jo emocionet. Të mos mendojmë dhe veprojmë veç sot për sot, por për të ardhmen e brezave tanë dhe fatin e atdheut!

Tradhtia vjen fije-fije, asnjëherë nuk vjen përnjëherë si raketë! Ruajeni veten, ruajeni Shqipërinë dhe Kosovën, dhe gjithë shqiptarët! Bëni atë që e bënë paraardhësit tanë, që e ruajtën dhe siguruan shtetin shqiptar dhe shqiptarët! Bëni atë që Kosova bëri për Shqipërinë; shumë herë u dogj me zjarr Kosova, por kurrë prushin nuk ia derdhi në qafë Shqipërisë!

Pra, ruajeni veten dhe gjithë shqiptarët! Armando, ju hibridet e rinj nuk keni treguar kurriz kombëtar, nuk keni treguar aftësi shtetformuese dhe mbajtje të paprekshmërisë së Shqipërisë. Ju veç dini ta shkatërroni dhe ta dorëzoni në mëshirën dhe dorën e të tjerëve! Shqipëria ka me çfarë të merret tani dhe nuk ka mbetur që të miqësohet me armiqtë e Kosovës e të shqiptarëve! Që përmes sportit të miqësohet, e të mos i interesojë qenësia kombëtare, pikërisht në këto rrethana në botën e trazuar që jemi, na nevojitet më shumë se kurrë uniteti dhe ribashkimi kombëtar!

28 shtator 2024
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: SA KUPTOHEN DHE SI SHPJEGOHEN EMITIMET E SERBISË TË NGJASHME ME RUSINË?

Rusia proklamon Perandorin dhe rëndësinë e saj në botë – Serbia në Ballkan! Rusia kishte …