Në mungesë kuorumi dështon votimi i buxhetit të Prishtinës

Në mungesë të kuorumit ka dështuar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës, dhe kështu u pamundësua votimi i buxhetit komunal për vitin 2025. Pas kritikave që shprehën për buxhetin sallën e lëshuan asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët më pas pamundësuan edhe vazhdimin e seancës dhe hedhjen në votim të buxhetit komunal. Ndërsa, të pranishëm në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal nuk ishin të pranishëm fare asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës. Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se nga Lëvizja Vetëvendosje ka tendenca për bllokim të buxhetit dhe projekteve të kryeqytetit.

“Buxheti e fuqizon vizionin e kryeqytetit. Edhe diskutimet që i kemi pas së bashku me partitë opozitare mendoj se janë pozitive e të mira e demokratike normal që kemi pyetur nëse partitë opozitare kanë ndonjë kërkesë në zonat e ndryshme dhe e gjithë ideja ka qenë të mos i bllokojmë dhe të shkojmë përpara dhe mos të humbin kohë mos t’i politizojmë gjërat të bëhemi bashkë aty ku mundemi dhe t’i shtyjmë proceset përpara. Nuk kanë qenë ato pazare siç edhe flasin politizojnë dhe lëshojnë sallën….përkundër faktit që thonë se nuk bllokojnë shihet qartë që kemi bllokadë totale, tendencë të bllokimit të buxhetit, tendencë të bllokimit të projekteve të kryeqytetit, po iu tregoj se nuk do të ndalemi”, deklaroi kryetari Rama.

Drejtoresha e Financave në komunën e Prishtinës, Valbona Makolli u shpreh se për vitin 2025 buxheti i kryeqytetit pritet të jetë 128 milionë e 100 mijë euro.

“Kryeqyteti për vitin 2025 do ta ketë vlerën buxhetore prej 128.100.224 euro të ndara në grante specifike të arsimit dhe shëndetësisë, ligjin për kryeqytetin dhe të hyrat vetanake të cilat kryeqyteti është i obliguar t’i mbledh gjatë viti 2025. Nga granti qeveritar për vitin 2025 kryqytetit do t’i takojnë 31 milionë e 427 mijë e 358 euro .Nga grante specifike ai i arsimit është 27 milionë e 93 mijë e 624 euro. Granti specifik i shëndetësisë për vitin 2025 është ndarë 11 milionë 738 mijë 786 euro”, tha ajo.

Gëzim Mehmeti nga AKR edhe pse u shpreh se kjo qeverisje ka dështuar në shumë projekte, tha se do ta votojnë si parti buxhetin komunal për vitin 2025.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …