Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, sot mori pjesë në Forumin Ekonomik Gjermano-Kosovar, në të cilin foli se pse Kosova duhet të jetë pjesë e tregut rajonal dhe pse e shtyn këtë ide përpara qeveria gjermane. Në mesin e mospajtimeve për CEFTA-n, ku Kosova rrezikon përjashtimin për shkak të refuzimit për të hequr ndalesën për importin e mallrave nga Serbia, Sarrazin shfrytëzoi këtë forum për t’u takuar me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, i cili u përball me pyetjet e gazetarëve nëse kishte dalë diçka konkrete nga ky takim rreth CEFTA-s. Në një përgjigje të shkurtë, si gjithnjë ironike e naive e fodulle, ai konfirmoi se kanë folur për këtë temë, po më shumë kishin folur për futboll, duke shpërfillur dhe nënçmuar angazhimin serioz e të përkushtuar të emisarit gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.