leoni

Iu dha lamtumira e fundit, historianit të shquar të përmasave mbarëkombëtare, veprimtarit atdhetar, Prof.Dr. Liman Rushiti

Në ambientet e Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, u mbajt të mërkurën mbledhje komemorative në kujtim të jetës dhe veprës së historianit të shquar, veprimtarit atdhetar, Prof.Dr. Liman Rushiti, që u nda nga jeta dy ditë më parë.

Në mesin e familjarëve të profesor Limanit, historianëve të shumtë, profesorëve universitar, deputetë të Kuvendit të Kosovës, miqve e bashkëpunëtorëve të të ndjerit, një delegacion nga Komuna e Ferizajt mori pjesë në këtë mbledhje komemorative, duke shprehur ngushëllime për familjen, miqtë e bashkëpunëtorët e të ndjerit.

Në emër të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, telegramin e ngushëllimit për ndarjen nga jeta të profesor Limanit e përcolli tek të pranishmit, Albion Sherifi – Shef i Kabinetit të Kryetarit.

“Me dhembje të thellë e pikëllim, mora lajmin për ndarjen ngajeta të ndër të parëve doktor të shkencave nga Ferizaj, historianit të papërsëritshëm, personaliteti që aq shumë i dha shkencës e Ferizajt, “Nderit të Qytetit” të Ferizajt, bashkëqytetarit tonë shembullor, Prof.Dr. Liman Rushiti. Profesori Liman, me jetën e përkushtimin e tij shkencor, mishëron vlerat e virtytet më të kristalta të atdhetarizmit e të shkencës së historisë, duke lënë pas vetes, një pasuri të jashtëzakonshme shkencore, për brezat e studiuesve. Profesori Liman, me jetën e veprën e tij, ngjiti piedestalin më të lartë të ndershmërisë, intelektualitetit e si historian, la gjurmë të pashlyeshme shkencore, duke u bërë edhe vet pjesë e saj, në historinë e shkencës e historisë shqiptare. Emri e vepra e tij, paraqet emblemë e referencë shkencore, krenari e historiografisë shqiptare, krenari për ne ferizajasit e mbarë kombin shqiptar. Përpjekja e puna e tij shkencore, nuk u ndal as në moshë të shtyer, duke i dhënë shkencës, burime e studime të reja që ndriçojnë historinë tonë kombëtare. Lamtumirë profesor Liman, ty që të pata mik të rrallë, të veçantë. Personaliteti yt dijeplotë, me dashurinë më fisnike për atdheun, me pasionin e devocionin e jashtëzakonshëm për të ndriçuar historinë e kombit tonë, janë skalitur përjetësisht në veprën tënde, emblemë e historisë në gjithë gjeografinë shqiptare. Pusho në paqen e parajsës së paskaj, Profesor! Ngushëllime familjes Rushiti, kolegëve, miqve e të njohurve të të ndjerit!” mbyllet telegrami i ngushëllimit të Kryetarit Aliu.

Me fjalë të pranishmëve në këtë mbledhje komemorative, iu drejtua Drejtoresha e Institutit të Historisë, Prof.Dr. Teuta Shala-Peli, znj. Aferdita Rushiti – vajza e profesor Limanit, Prof.Asoc.Dr. Skender Lutfiu, Prof.Dr. Bedri Muhadri, Prof.Dr. Hakif Bajrami si dhe Januz Mazreku nga Unioni Shqiptaro-Gjerman, të cilët çmuan lartë veprën e kontributin shkencor e atdhetar të Prof.Dr. Liman Rushiti.

Prof. Dr. Liman Rushiti u varros pasditen e sotme në varrezat e fshatit Sazli të Ferizajt.

Kontrolloni gjithashtu

Dea Shabani shkruan historinë për notin ferizajas

Anëtarja e Klubit të Notit “FERIZAJ”, Dea Shabani ka shkruar historinë për notin ferizajas në …