Në orët e para ditës me Beratin kemi biseduar gjerë e gjatë lidhur me luftimet gjatë kohës së ofensivës, në Drenicë. Berati tregon se në çfarë rrebeshi janë ballafaquar. Afër dy muaj më parë ai ka shkuar në Likoc dhe atje ka qëndruar derisa ka filluar ofensiva. Pastaj me disa ushtarë ka kaluar nga një fshat në tjetrin, shpeshherë duke kaluar afër pozicioneve serbe. Duket shumë i lodhur edhe pse nuk jepet. Ka nevojë për shërim intensiv. Sot ose nesër nga Shtimja vjen mjeku Fatmir Xhelili i cili do të caktojnë një terapi.
Në kohën kur po pritnim që Jakup Krasniqi të vinte pa u hetuar nga ana e grykës, ai erdhe me xhip në mesditë, nëpër mes të fshtrave Shalë dhe Krojmir. Kjo do të thotë që qysh sot në mbrëmje lajmi për depërtimin e Jakupit ka shkuar në Lipjan apo në Shtimje, sipas bindjes sime, meqë prej fillimit të luftës janë në këto anë dhe e di mirë si funksionojnë lidhjet e shpirtshiturve tanë me padronët e tyre.
Jakupit as i bën fare përshtypje kjo punë. Ai nuk duket edhe aq i lodhur. Ai është qëndrueshëm, i bindur në fitore, i paepur, ai rrezaton tërë energji. I qetë dhe i matur nga natyra ai përfaqëson me dinjitet luftën tonë çlirimtare. Pak kohë më vonë është përshëndetur edhe me tezen Ajshe, e cila babën e Jakupit, Januzin e ka djalë të hallës. Tezja interesohet se kur do të vijë Sevdia, bashkëshortja e Jakupit me vajzat dhe djalin.
Jakupin e kam lajmëruar me zhvillimet e kohëve të fundit, e kam njoftuar me shumë probleme dhe vështirësi nëpër të cilat kemi kaluar, me shpresë se edhe kësaj radhe do t ia dalim. Ai ka sjellë me veti edhe një telefon satelitor, përmes së cilit i dërgon në perëndim komunikatat nga Shtabi.
Tani për tani, duket se ka filluar një periudhë pak më e qetë. Presioni ndërkombëtar kundër bandës politike gjakatare të Beogradit megjithatë, nuk ka kaluar me indiferencë.
Në mbrëmje si zakonisht kemi shkuar për ta përcjellë ditarin televiziv të TVSH-së. Me ne ka ardhur edhe Berati, pastaj Ramadan Rizani, Elezi e të tjerë.