Ministri i Financave Avdullah Hoti priti të hënën presidentin e BERZH-it Suma Chakrabarti. Në këtë takim u bisedua për kontributin, marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it si dhe vazhdimin e bashkëpunimit financiar ndërmjet dy institucioneve për implementimin e projekteve të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
U diskutua edhe për mbështetjen nga BERZH-i për financimin e projekteve kapitale të Qeverisë, në veçanti për projektet infrastrukturore, në sektorin e transportit, ujitjes dhe për zonat ekonomike si dhe mbështetja e skemës për garantimin e kredive. Ministri Hoti duke i uruar mirëseardhje në Kosovë Presidentit të BERZH-it Suma Chakrabartit e falënderoi atë dhe institucionin të cilin ai drejton për gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën përmes investimeve në projekte të rëndësishme për vendin si dhe shprehi nevojën për bashkëpunim të mëtutjeshëm ndërmjet dy institucioneve. Ai gjithashtu i njoftoi udhëheqësit e BERZHIT për procesin buxhetor, për të hyrat, politikat fiskale, bashkimin e ATK-së dhe Doganës në një agjenci të vetme tatimore, për hapat që po merr Qeveria e Kosovë për zhvillimin ekonomik të vendit si dhe për masat të cilat janë marrë për të luftuar ekonominë jo formale të cilat kanë ndikuar dukshëm edhe në rritjen e të hyrave buxhetore.
Ministri Hoti gjithashtu tha se ne jemi anëtarë i ri në BERZH dhe si i tillë deri më tani kemi marrë mbështetje kreditore në vlerë prej 204 milion euro për projekte të ndryshme për përmirësimin transportit hekurudhorë, rrugorë dhe trafikun urban. Po ashtu jemi duke identifikuar edhe fusha të tjera të cilat përmes projekteve do ti implementojmë në bashkëpunim me BERZH-in dhe falenderoj z. Chakrabarti për gatishmërinë e tij për të rritur bashkëpunimin edhe në të ardhmen. Ai gjithashtu shprehi bindjen se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it do të vazhdoj sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik dhe integrimit të vendit në BE. Ndërsa Presidenti i BERZH-it Suma Chakrabarti, duke falënderuar ministrin Hoti për pritjen vlerësoi lartë dhe mjaft pozitiv bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it. Ai gjithashtu shprehi gatishmërinë e Institucionit të cilin ai drejton për të rritur edhe më shumë bashkëpunimin në fushat të cilat krijojnë një perspektivë integruese të Kosovës në BE si dhe në fushat të cilat ndikojnë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve në Kosovë. Ai gjithashtu shtoi se dëshira ime është që në Kosovë të shohë biznese private të zhvilluara, sepse zhvillimi i këtij sektori është e vemja rrugë zhvillimore e një vendi.