Ish-Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, shprehu shqetësimin e tij në lidhje me parashikimet për rritjen ekonomike prej 3.9% për këtë vit, duke e cilësuar këtë rritje si të pamjaftueshme për të adresuar sfidat kryesore që i ka Kosova, përfshirë papunësinë dhe deficitin e lartë tregtar. Mehmeti theksoi se rritja e kredive familjare është po ashtu shqetësuese, duke theksuar se shumë familje po hasin vështirësi për të mbijetuar nga muaji në muaj me pagat aktuale. Ai sugjeroi se për të realizuar një rritje të qëndrueshme ekonomike, është e nevojshme të ndryshohet struktura e ekonomisë, duke e orientuar atë më shumë drejt ndërmarrjeve prodhuese. Duke u referuar të dhënave të gjashtëmujorit të parë të këtij viti, ai vuri në dukje se deficitit tregtar të mallrave i është thelluar për 8.21%, duke arritur mbi 2.2 miliard euro.