Ahmet Qeriqi: Në Krojmir vjen edhe Hashim Thaçi, komandant Gjarpri. (E enjte 8 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Krojmir vjen edhe Hashim Thaçi, komandant Gjarpri. (E enjte 8 tetor, 1998)

Edhe sot kemi kaluar një ditë me shqetësime, si gjithnjë në pritje dhe paparashikueshmëri. Jakupi po angazhohet në punën e tij të përditshme. Ai punon në kompjuter dhe përmes telefonit satelitor mban lidhje me anëtarët e Shtabit. Berati  zakonisht flë dhe pushon meqë është shumë i lodhur. Ai ka filluar të merr inxhekcione.

Prej ditës kur ka ardhur Jakupi më kanë mbetur anash shumë punë të tjera përveç kësaj kronike të cilën zakonisht e përshkruaj në orët e vona të natës, kur të gjithë bien për të fjetur.

Pasdite ka ardhur Ramiz Qeriqi, Luani i cili më tregon se ka pasur një bisedë të pakëndshme me Hysni Sylën lidhur me disa probleme, të cilat më duket se nuk janë as të Hysniut e as të Luanit. Sipas tij Hysniu ka kërkuar llogari përse e kemi rregulluar furrën në shkollë, gjoja pa leje të Shtabit. Ai po ashtu i ka thënë për mua se nuk përfaqësoj asgjë dhe nuk e di fare për angazhimin tim. Ai mbase nuk e di se nismën për furrë dhe për kazermë e ka marrë Shukri Buja dhe krejt çfarë është punuar ka qenë në dijeni. Sa më përket mua është e mundshme se Luani qëllimisht më ka përmendur mua për të marrë opinionin e Hysniut, për të cilin kam dëgjuar, e di se ka qenë një kohë në burg, por nuk e njoh, ndërsa me Azem Sylën njihem shumë moti.

Si duket Hysniu që është miku i Fadil Ollurit, ka ankime të tjera ndaj Luanit lidhur me Milazim Ollurin, është ushtar në Tërpezë.

Hysniu, gjithnjë sipas fjalëve të Luanit, ka kërkuar që të pranohet në radhët e ushtrisë Rizah H. Qeriqi, i cili e ka humbur krahun në Betejen e Llapushnikut. E vërteta qëndron se Rizahu një javë para Betejes në Llapushnik është kapur nga forcat tona në Blinajë duke i vëzhguar pozicionet e UÇK-së. Për të ka pasur dyshime se ka bashkëpunuar me policinë dhe për atë fakt edhe është dërguar në Llapushnik. Më vonë kemi dëgjuar se ai është mobilizuar me kërkesën e tij dhe ka marrë pjesë në luftime. Jemi në dijeni të faktit se e ka humbur edhe krahun, por sa i përket kësaj çështjeje delikate nuk mund të vendos as Luani, i cili vazhdimisht na bën probleme dhe na shkakton kokëçarje. E marr me mend se edhe Hysni Syla nga ana e tij ka paragjykime, meqë ai rrallëherë kthen në Kosovë dhe nga Shqipëria apo Amerika vështirë se mund të ketë informacione se ç po ngjet në fshatrat e Drenicës.

Në mbrëmje ka ardhur edhe një komandant tjetër anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, Hashim Thaçi, një emër i njohur i bërthamës çlirimtare të komandant Adem Jasharit. Është ky një luftëtar i vendosur. Ka qenë i angazhuar edhe në lëvizjen studentore të viti të kaluar. Më kujtohet se disa herë e kam parë në kryesinë e PPK-së, edhe pse nuk kam pasur bisedë me të. Hashim Thaçi tregon për luftimet e ashpra që janë zhvilluar në Drenicën Qendrore, ndërsa Jakupi e qesëndis për dialogun që përmes radiolidhjeve ka pasur me një epror serb, i cili ka depërtuar në radiolidhje  dhe i ka thënë:

-Ku je o Gjarpni, a po don edhe më shumë luftë, duke kërcënuar se  asnjë nga shqiptarët nuk do të shpëtojë i gjallë.

-Këtu do t`i lësh kockat, i ka thënë Thaçi me përbuzje  oficerit serb përmes radiolidhjeve.

Në mbrëmje ka ardhur  Berati dhe Elezi të cilët e kanë vizituar Sejdi Elezin që me tërë familjen ende po qëndron në Grykën e Shpëtimit, në tendë. Atje familja e tij po iu sigurojnë bukë ushtarëve që janë në vëzhgim në pikat e Karaçicës dhe të Javurit, ku ende po qëndrojnë të stacionuara forcat serbe.

Syla dhe Elezi kanë marrë përsipër rritjen e sigurisë dhe të rojës gjatë natës meqë tani kemi më shumë përgjegjësi. Me ta merren vesh që si roje të brenshme të caktojmë vëllanë tim Hasanin dhe djalin e Sylës, Avniun, dy më të besuarit.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Ushtarakë të tjerë të interesuar për kalimin e një pjese të Shtabit të Krojmir. Kanë ardhur edhe Fatmir Limaj me oficerin Shaban Draga. (E enjte 1 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ushtarakë të tjerë të interesuar për kalimin e një pjese të Shtabit të Krojmir. Kanë ardhur edhe Fatmir Limaj me oficerin Shaban Draga. (E enjte 1 tetor, 1998)

Jetë Hasani me grupin e tij diversant vëzhgues  është kthyer në Krojmir. Ai me luftëtarët …