Fshati Gjergjicë i komunës së Drenasit (ish – Gllogoc), luftës së UÇK-së i ka dhënë pesë dëshmorë të kombit dhe një martir të lirisë. Në luftë për çlirimin e Kosovës, në frontet e luftës çlirimtare kanë rënë: Sylë Morina, Bedri Shala, Ramadan Bytyçi, Gëzim Morina dhe Arben Shala. Është martirizuar nga forcat pushtuese, Mehë Morina.
Jakup Morina dhe bashkëshortja e tij Vahidja, nga fshati Gjergjicë i komunës së Drenasit rritën 9 bij e katër bija. Sylë Morina u lind më 13 qershor të vitit 1968. Shkollën fillore e ka kryer në fshatin Arllat, ndërsa të mesmen në Qendrën e Arsimi të Orientuar, në Drenas.
Duke qenë se familja e tij me shumë anëtarë ishte e varfër, Sylë Morina me qëllim për ta ndihmuar familjen shkon për të punuar në Kroaci. Në qytetin e Rjekës, kishte edhe disa kushërinj e të njohur.
Me fillimin e luftës në Kroaci, Syla, ashtu sikur edhe rreth 2000 shqiptarë, mori pjesë në formacionet vullnetare të popullit kroat, i cili luftonte për t’u shkëputur nga kolonializmi dhe hegjemonia serbe.
Në Kroaci ka punuar deri në vitin 1996.
Pas kthimit në Gjergjicë, mbante kontakte ilegaliteti me Shaban Shalën, Bedri Shalën, Ramadan Bytyçin e të tjerë.
Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylë Morina iu kishte bashkuar edhe me vëllezërit e e tij, Shabanin dhe Ganiun.
Në fillim të prillit të vitit 1998, vë kontakt me grupet e para të UÇK-së. Inkuadrohet në radhët e çlirimtarëve dhe më 27 prill të vitit 1998, së bashku me disa bashkëluftëtarë merr pjesë në një aksion të organizuar kundër një njësiti të motorizuar serb, afër fshatit Gjergjicë, në magjistralen Prishtinë-Pejë.
Asokohe Sylë Morina ishte së bashku me Bedri Shalën, i cili kishte ardhur nga Holanda dhe iu kishte bashkuar luftës në Kosovë.
Duke qenë se lufta kishte marrë përmasa dhe armatimi mungonte Syla, së bashku me Bedri Shalën dhe disa qindra vullnetarë, në qershor të vitit 1998 niset për në Shqipëri me qëllim për të marrë armë dhe municion. Edhe pse kishin sjellë një sasi të madhe të armatimit, Bedriu dhe Syla, më 4 korrik sërish shkojnë në Shqipëri, me qëllim për të sjellë nga atje sa më shumë armë e municion për nevojat e luftës.
Më 26 korrik, fillon ofensiva e madhe e forcave armike në të gjitha frontet e luftës. Ishte kjo një ofensivë e sforcuar e forcave ushtarake e policore serbe, që kishte për qëllim ta paralizonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila në muajt maj, qershor korrik të vitit 1998 ishte zgjeruar pothuajse në të gjitha pjesët rurale të vendit tonë.
Sylë Morina, tashmë i kishte mësuar rrugët e Junikut, Jasiqit, Gjocajve për të shkuar në Shqipëri.
Më 26 korrik 1998, në kohën e ofensivave të verës, ai ndodhej në rrugë për t’u kthyer nga viset kufitare në frontet e luftës. Ishte në mesin e shtatë bashkëluftëtarëve, kur bie në pritë të forcave armike. Edhe pse forcat serbe kishin sulmuar prapa shpine, Syla me bashkëluftëtarë kishte filluar një kundërvënie të fuqishme, meqë ata kishin armë dhe municion të mjaftueshëm. Afër i ndodhej edhe bashkëluftëtari i tij, Nazmi Gashi nga Kamarani i Drenicës dhe pesë luftëtarë të tjerë. Që të gjithë kishin rezistuar dhe kishin rënë dëshmorë.
Sylë Morinën fillimisht e kanë varrosur në varrezat e Qabratit, në Gjakovë, ndërkohë pas çlirimit të Kosovës nga robëria serbe, eshtrat e tij janë sjellë në fshatin Negroc të Drenicës, ku edhe është rivarrosur.
Në luftë për çlirimin e Kosovës luftën po e vazhdonin edhe vëllezërit e Sylës, Shabani dhe Ganiu, ndërsa vëllai tjetër Ruzhdi Morina ishte kapur nga forcat serbe në mesin e popullatës civile, në malin Kozmaq, më 25 shtator të vitit 1998. Ruzhdiu në moshën e tij të njomë kishte përjetuar torturat mizore dhe kalvarin e mundimeve për tri vjet rresht në burgjet serbe, në Prishtinë, Lypjan, në Dubravë gjatë masakrës së majit të po atij viti, ku forcat ushtarake e policore serbe kanë masakruar qindra shqiptarë të burgosur, pastaj e kishin dërguar në burgun e Nishit dhe më në fund ishte liruar në vitin 2001 kur edhe ishin liruar të gjithë të burgosurit shqiptarë të Kosovës.
Sylë Morina ka qenë i martuar. Ai ka lënë djalin, Albinin dhe bashkëshorten Zojën.
Syla ka lënë babain, Jakupin, nënën, Vahiden, vëllezërit: Shabanin, Hamzën, Ganiun Shemsiun, Ruzhdiun, Shpëtimin Avniun e Hilmiun si dhe motrat: Luljetën, Afërditën, Valbonën dhe Remzijen.
Familja e dëshmorit Sylë Morina ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga shoqatat e luftës dhe nga Kuvendi komunal i Drenasit. (A. Q.)