RKL: Kryeministri, Kurti, në Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ‘i mësoi’ ndërkombëtarët se si duhet të sillen me Serbinë

Kryeministri, Albin Kurti, në fjalën e tij në Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosjes  ka folur shfrenuar, guximshëm, me patetikë filozofike e vetëbesim superior, me qëndrim arbitrar,  ka mbajtur fjalim si gjithnjë ‘historik’ sipas  vetëvendosistëve, madje, kësaj radhe  duke e krahasuar veten edhe me Perandorin romak, Mark Aureli, porositë e të cilit  ua ka dedikuar anëtarëve të vet, me qëllim për t’i vetëdijesuar e disiplinuar sa më shumë në doktrinën e tij totalitare, njëdimensionale, të llojit të vet, ‘sui generis albinis’.

Ai është shprehur se Perandori romak Mark Aureli, stoik i kanonizuar përmes meditimeve të tij të lëna pas si shënime, kishte thënë se i gjithë zgjoi vuan kur madje vetëm edhe një bletë është e sëmurë e po ashtu i gjithë zgjoi lulëzon vetëm atëherë kur të gjitha bletët janë mirë. Mbase këtu kemi se çfarë të mësojmë nga Mark Aureli. Pas fjalëve të Perandorit, Kurti bëri edhe vetë një reflektim mbi pushtetin. “Anipse Roma antike mund të duket shumë e largët në kohë, natyra njerëzore , e posaçërisht në relacion me pushtetin, mbase nuk ka ndryshuar aq”.

I ekzaltuar në delirin e tij peranojak, ‘mini-perandori’ i partisë Vetëvendosje i jep vetes të drejtë t’ iu japë mësim edhe qendrave më të mëdha vendimmarrëse të botës, sikur janë BE-ja, Amerika, Anglia e shtete të tjera, lidhur me qëndrimin  që duhet të marrin ato kundër Serbisë, pasi pretendon se ata nuk dinë sesi duhet të sillen me Serbinë e Aleksander Vuçiqit.

Duke mbajtur fjalim për pushtetin në Serbi dhe qeverisjen e Aleksander Vuçiqit,  Kurti ka thënë se Serbisë duhet t’i ndërpritet ndihmesa aktuale dhe ajo e ardhshme nga BE-ja, Amerika  dhe Mbretëria e Bashkuar. Gjithashtu Kurti i mëson ndërkombëtarët se duhet të sanksionohen të gjithë ata që bashkëpunojnë me personat të cilët janë të futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka kërkuar edhe kthimin e zonës së sigurisë kufitare prej pesë kilometrave në mes të Kosovës dhe Serbisë meqë thotë se Serbia po e keqpërdor heqjen e saj që kishte ndodhur në vitin 2001. Ajo u pat hequr në gushtin e vitit 2001, kur kryeministër ishte Zoran Gjingjit dhe e vranë. Këtë po e keqpërdor regjimi i Vuçiqit, i cili po sjell artileri e trupa shtesë dhe sistem kundër ajror kinez përbrenda këtij rripi prej 5 kilometra, ka thënë Kurti.

Nga këto kërkesa të tij dalin shumë pyetje, për të cilat është vështirë të besohet se ai nuk i di.

A di Kurti se të gjitha shtetet që i përmend, janë shtete që kanë marrëdhënie normale dhe serioze me Serbinë mbi parime të bashkëpunimit e të reciprocitetit ndërshtetëror. Të gjitha kanë më shumë interes politik, ekonomik, tregtar, kulturor me këtë shtet,  sesa me Kosovën.

Alfa e qëndrimit të tyre ndaj Serbisë është ruajtja e staus-quosë, për ta mbajtur këtë nivel marrëdhëniesh aktuale me Rusinë. Ndihma, që këto shtete i japin Beogradit, vetëm mund të shtohet e aspak të zvogël0het nga kërkesat e Albinit, në radhë të parë për përfitimet e  tyre reciproke, pastaj për ato politike e strategjike.

Albini i di të gjitha këto e shumë të tjera, por vazhdimisht dëshiron ta bëjë të ‘gjithë-diturin’, në këtë rast edhe arbitrin.

Pretendimi për t’ i mësuar se çka duhet të bëjnë, BE-ja, Amerika, Anglia e shtete të tjera, lidhur me qëndrimin  që duhet të marrin ato kundër Serbisë, në dukje  është naiv dhe deklaratë pa peshë, por e thënë para elektoratit, ai pretendon t’ i japë peshën specifike, sepse me te i ushqen, sidomos militantët e verbër, për të cilët ka aq shumë nevojë.

Duke folur për raportet e tij me ndërkombëtarët, Albin kurti ka thënë se me aleatët konsultohemi por se vendimet i marrim vet. Sipas tij parimësia në politikë, sidomos kur përfaqëson nivelet e larta të saj në shërbim të interesit të popullit, të drejtave dhe nevoja të tij, në kohëra të ndryshme mund të paraqes rrezik të ndryshëm, mirëpo unë besoj që është një rrezik që gjithmonë ja vlen, meqenëse parimësia është e drejtë. Kjo nuk do të thotë që s’kemi strategji, mirëpo s’jemi dakord me veprime strategjike pa kurrfarë parimi. Me ShBA-në, me BE-në, me NATO-n ne ndajmë në mënyrë të plotë vlerat e përbashkët, por edhe interesa e qëllime të njëjta. Në duhet të marrim vet vendime për veten tonë, konsultohemi edhe me aleatët, por barrën e përgjegjësisë duhet ta marrim vetë,  ka theksuar kryeministri, Albin Kurti, sikur të ishte Kosova shtet po aq i fortë sa Amerika e shtete të tjera. Kjo barazi në parime,  është e njëjtë sikur një njeri  kur e mat gjatësinë e trupit të tij,  me hijen e diellit të mëngjesit, sikur zakonisht bëjnë adoleshentët

 

Ahmet Qeriqi

Tetor 2024

Kontrolloni gjithashtu

Vendimin për themelimin e Radios-Kosova e Lirë dhe të Agjencisë Kosovapress, e ka marrë SHP i UÇK-së, më 13 nëntor 1998

Ahmet Qeriqi: Nisma, aktivitetet, vendimi i SHP të UÇK-së, stafi themelues i Radios-Kosova e Lirë dhe i Agjencisë, Kosovapress

Ahmet Qeriqi: Nisma, aktivitetet,  vendimi i SHP  të UÇK-së, stafi themelues i Radios-Kosova e Lirë dhe i …