Gjithnjë në pritje për intervenimin e NATO-s, edhe pse askush nuk ka fare njohuri se do të ndodh diçka e tillë. Serbët me siguri se kësaj radhe kanë frikë nga ndonjë intervenim i mundshëm. Pikërisht për këtë ata në njëfarë mënyre i kanë ndaluar sulmet dhe kanë filluar ta fshehin arsenalin ushtarak. Ambasadori amerikan në OKB, Riçard Holbruk ka filluar një presion diplomatik kundër kriminelit Milosheviq, i cili si kartë të fundit para ndonjë kërcënimi tjetër më serioz do ta përdor Rugovën, me të cilin do të mund të arrijë një marrëveshje kalimtare në dëm të luftës tonë dhe të ardhmërisë së Kosovës.
Unë nuk besoj fare se do të intervenojnë NATO-ja… Krejt ky presion po bëhet me qëllim të frikësimit të makinerisë së Milosheviqit, në mënyrë që të ndalen luftimet dhe të fillojë i ashtuquajturi dialog politik. Serbët edhe nëse i pranojnë kërkesat e OKB-së, ata do të fitojnë kohë e cila iu duhet sidomos në këto momente, ndërsa shqiptarët nuk do të fitonin as minimumin e kërkesave, sado të drejta dhe legjitime.
Sot gjatë tërë ditës ka rënë shi i imët vjeshtor.
Në orët e pas ditës nga Shtimja kanë ardhur mjeku Fatmir Xhelili dhe Nusret Gashi. Ata kanë dëgjuar për sulmin kundër policëve në Godanc, me ç’rast policia në Shtime ka përhapur lajme se kanë pësuar luftëtarët tanë. Nga ana tjetër popullata flet se për humbje në radhët e policëve, të cilëve iu ka shkuar në ndihmë policia e Shtimes.
Fatmiri iu ka bërë një kontroll të plagosurve, ndërsa Berat Luzhës ia ka caktuar një terapi të fortë për shërim. Ai duhet të marrë inxhekcione gjatë 30 ditëve të ardhshme dhe disa barëra të tjera.
Në orët e mbrëmjes kanë ardhur Hajredin Gashi, babai i Farukut dhe Enver Gashi djali i Tefikut, kushëri i Reshat Gashit. Edhe këta nga fjalët janë shqetësuar dhe kanë ardhur për t`u informuar saktësisht për situatën.
Enveri ka shprehur gatishmëri për të rregulluar veturat që kanë defekte.
Ai do t`i bëjë një kontrollim veturave që kanë dalë nga përdorimi dhe pasi t`i kemi blerë pajisjet vjen për t`i rregulluar. Enveri ka treguar gatishmëri të marrë edhe armën, por tani për tani na duhet për rregullimin e veturave, shumicën e të cilave i defektojnë ushtarë tanë.