U promovua libri me poezi i gazetarit dhe publicistit Ismet Rashiti

Në një ceremoni të veçantë të organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Krijuesve të Vitisë “Ramadan Musliu,” u promovua libri “Palca e Gurit” i gazetarit dhe publicistit të njohur, Ismet Rashiti. Eventi u mbajt në Viti dhe u shpall i hapur nga kryetari i Shoqatës, Fadil Abazi.

Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, shprehu vlerësimin për kontributin e autorit Ismet Rashiti në fushën e krijimtarisë dhe e nderoi atë me një mirënjohje të veçantë nga Komuna e Vitisë. Kryetari Haliti theksoi rëndësinë e veprave të tilla që pasurojnë kulturën dhe historinë lokale.

Një vlerësim të hollësishëm për librin dhe një trajtesë mbi këtë vepër doli Dekani i Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Kadri Zeka”, në Gjilan, Prof. Dr. Merxhan Avdyli, i cili theksoi aspektet unike të narrativës dhe stilit të autorit Rashiti. Ndërkohë, recenzenti i librit, Rrahim Sadiku këto krijime të Ismetit i ka quajtur histori poetike të besimit, të qëndresës e shpresës, të përjetuara me gjithë thellësinë e shpirtit për ta njohur kuptimin e atdheut dhe të lirisë.

Recenzenti tjetër Isak Ahmeti, tha se poezitë e kësaj vepre, ndonëse të shkruara në periudha dhe rrethana të ndryshme të jetës së autorit, karakterizohen nga një frymë e thellë patriotike dhe liridashëse. Edhe folësit tjerë, ndanë mendimet e tyre për cilësinë dhe thellësinë e përmbajtjes së “Palca e Gurit,” duke e cilësuar atë si një vepër me peshë në letërsinë bashkëkohore shqiptare.

Në fund të promovimit, autori Ismet Rashiti mbajti një fjalë përshëndetëse, ku falënderoi të pranishmit për mbështetjen dhe ndau disa mendime për krijimtarinë e tij dhe procesin e shkrimit të librit.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …