leoni

Forcat serbe ende po qëndrojnë në Rrafshnaltë (E diel 11 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Forcat serbe ende po qëndrojnë në Rrafshnaltë (E diel 11 tetor, 1998)

Sot heret në mëngjes ka ardhur Idriz Hyseni dhe pas pak së bashku me Jakup Krasniqin janë larguar në drejtim të Shalës.

Me Beratin kemi shkuar në ambulancë dhe kemi qëndruar një kohë. Të plagosurit po përparojnë. Berati tanimë ka filluar ta merr terapinë. Më vonë me propozimin e Fatmir Xhelilit kemi shkuar në Grykë, ku tani për tani atje ka mbetur vetëm Sejdi Elezi dhe ushtarët  në vëzhgim të terrenit ku janë stacionuar serbët  në Karaçicë. Sejdiun nuk e kemi takuar meqë kishte qenë në detyrë të kontrollimit të pikave të ushtarëve. Ai është caktuar përgjegjës i këtyre pikave.

Forcat serbe që janë pozicionuar në relacion Qafë e Duhlës, Luzhnicë, Javur, Kleçkë ende po qëndrojnë në pozicione. Ata gjatë ditës defilojnë në vende të caktuara ndërsa gjatë natës futen në bunkerë. Disa herë deri tani ushtarët tanë kanë goditur në drejtim të tyre. Edhe ata janë kundërpërgjigjur, por nuk ka të dhëna për humbje.

Më vonë jemi kthyer në ambulancë, ku zakonisht gjatë ditës qëndrojnë mjekët Jakup Ismajli, Naser Bytyçi, Reshat Gashi, shpeshherë edhe Fitim Selimi i cili ka krijuar një punkt edhe në Shalë. Atje punon edhe mjeku nga Caraleva Avdullah Fazliu, tekniku Mentor Shamolli e të tjerë.

Në mbrëmje si zakonisht tubohemi në odën e mbushur përplot ushtarë të Sylë Qeriqit, e cila zien në tym duhani, meqë pothuajse të gjithë ushtarët pa përjashtim po tymosin. Shpeshherë ne të tjerëve na zihet fryma nga tymi. Pak më vonë vjen edhe Luani i cili ka aksidentuar me një traktor meqë lëvizja gjatë natës bëhet pa drita. I aksidentuari një fshatar nga Risinovci është në gjendje të rëndë shëndetësore. Pritet që në mëngjes ta nisin në drejtim të Spitalit, në Prishtinë.

Pasi kemi qëndruar një kohë të gjatë te Syla, pas darkes, Fatmir Xhelili dhe Nusret Gashi janë nisur në drejtim të Pjetërshticës, nga ku planifikojnë që ende pa zbardhur drita të hyjnë në Shtime, pa u vërejtur nga askush.

Në kohën ku po bëheshim gati për t u shpërndarë nga oda secili në drejtim të vetin, dikush nëpër shtëpi për të pushuar dikush tjetër në rojë, Epiri më lajmëron se kohë më parë është kthyer, Jakup Krasniqi.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …