Miniferma “Fllanza” së shpejti do të prodhoj mish thëllëze

Zëvendësministri i  Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Jonuzi, i shoqëruar nga nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi, kanë vizituar Minifermën familjare “Fllanza”, në Vaganicë të Mitrovicës, ku me pronaren Hadije Ahmeti, kanë biseduar për gjendjen në minifermë dhe për mundësitë e mbështetjes së saj.

Pronarja e Minfermës “Fllanza”, Hadije Ahmeti, duke  i njoftuar  mysafirët me punën që po bëhet aty, sukseset dhe problemet me të cilat po ballafaqohet, tha se këtë biznes familjarë, e që ka të bëjë me kultivimin e thëllëzave, kanë filluar që para tri vjetësh me mjete të veta dhe se gjatë kësaj kohe kanë arritur që të stabilizojnë biznesin e madje edhe të investojnë vazhdimisht.

“Në fermë kemi rreth 3.500 thëllëza. Aktualisht në treg jemi të pranishëm vetëm me shitjen e vezëve të thëllëzave dhe puna po shkon mirë. Shpresojmë se me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe të komunës së Mitrovicës, nga shtatori i këtij viti, në tregun vendor do të jemi të pranishëm edhe me shitjen e mishit të thëllëzave, i cili nuk gjendet fare në tregun kosovar.

Zgjerimi i biznesit me  mbështetjen e institucioneve  lokale dhe atyre qendrore,  do të na mundësoj që të shtojmë edhe numrin e punëtorëve në Minifermë”, tha ajo.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Jonuzi, tha se ndjehet mirë kur dëgjon storje të këtilla të suksesit të bizneseve familjare.

“Miniferma “fllanza” meriton mbështetjen e të gjitha institucioneve. Pronarët e Minifermës për këto tri vite kanë bërë një punë jashtëzakonisht të mirë dhe unë i përgëzoj për këtë. Ministria me siguri se do të subvencionoj prodhimin e mishit të thëllëzave në Minifermë. Jemi të bindur se pronarët e Minifermës do të jenë të suksesshëm edhe në të ardhmen”, tha ai.

Edhe nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi, përgëzoj pronaren e Minifermës, Hadije Ahmetin, për punën që ka bërë në zhvillimin e këtij biznesi familjarë.

“Komuna e Mitrovicës në këto dy vjet e gjysmë, ka bërë shumë në krijimin e kushteve për funksionim dhe zhvillim të bizneseve. Ajo ka subvencionuar në forma të ndryshme bizneset nga fusha e bujqësisë si asnjëherë më parë. Këtë politikë do të vazhdoj edhe në të ardhmen dhe unë shpresoj se edhe ne do të jemi mbështetës të zgjerimit të këtij biznesi”, tha ndër të tjera nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi.

Kontrolloni gjithashtu

Dea Shabani shkruan historinë për notin ferizajas

Anëtarja e Klubit të Notit “FERIZAJ”, Dea Shabani ka shkruar historinë për notin ferizajas në …