Hap dyert edhe Shkolla Shqipe në Saxon të Kantonit të Valisit, në Zvicër
Nxënësit e Shkollës Shqipe në Saxon me mësuesen e tyre Edona Haradini

Hap dyert edhe Shkolla Shqipe në Saxon të Kantonit të Valisit, në Zvicër

Hapja e shkollave shqipe në Zvicër tani më është bërë kryefjalë e përpjekjeve të mësuesve dhe veprimtarëve të arsimit shqip në Zvicër. Në vazhdimësi përpjekjet e tyre dëshmojnë punë dhe përkushtim, të cilat rezultojnë me shtimin e numrit të nxënësve si dhe me hapjen e pikave të reja shkollore duke shndërruar veprimtarinë e tyre në një mision kombëtar.

Tani më edhe fëmijët shqiptarë që banojnë në fshatin Saxon dhe fshatrat për rreth kanë mundësi t`i vijojnë mësimet në gjuhë shqipe. Mësimi zhvillohet çdo të mërkure në shkollën fillore në Saxon të Kantonit të Valisit të Zvicrës nën drejtimin e mësueses Edona Haradini, e cila me një përkushtim të veçantë në bashkëpunim me prindërit e këtyre fshatrave si dhe me koordinatorin e shkollave shqipe Z. Vaxhid Sejdiun arritën që këtë pikë shkollore ta bëjnë realitet. Këta fëmijë nga sot filluan një përpjekje të re, për ta mësuar në mënyrë të rregullt gjuhën e nënës, gjuhën shqipe.

Më e lumtura në këtë mes ishte vetë mësuesja Edona, e cila flet me një përkushtim të veçantë për përpjekjet e saj, që edhe pse ka emigruar në Zvicër nuk e fsheh dëshirën e saj të madhe që edhe në mërgim ta ushtroje profesionin e saj si mësuese e gjuhës shqipe.

Në të njëjta “valë gëzimi” ishin edhe prindërit e fëmijëve, të cilët vijojnë mësimet në këtë pikë shkollore me qëllim që ta mësojnë në mënyrë të rregullt gjuhën amtare. Klasa kishte marrë një pamje të bukur të ndritshme, ku dhjetëra fëmijë pasi kishin mbaruar mësimet e rregullta në shkollën e vendit, të mërkurën pasdite vazhduan mësimet në gjuhën shqipe.

Mësuesja Edona Nuredini e lumtur që tani më edhe, në Zvicër ka mundësinë e mirë ta vazhdojnë profesionin e saj, me të vetmin qellim që të përfshijë në orët mësimore sa më shumë fëmijë shqiptarë.

Nxënësit: Eliani, Lena, Dilani, Lirioni, Doriani, Azalea, Adela, Aidi, Ajani, ⁠Elza, Diellza, ⁠Riani dhe të tjerët të cilët janë lajmëruar për t`u regjistruar në shkollën shqipe në Saxon të Valisit ju bëjnë thirrje të gjithë moshatarëve të tyre t`iu bashkëngjiten për ta mësuar gjuhën shqipe.

Buzëqeshjet e këtyre fëmijëve të kësaj klase, si dhe të dhjetëra pikave shkollore që janë hapur në mbarë Zvicrën ngjallnin shpresën se gjuha shqipe po përhapet me të madhe në Zvicër falë aktivitetit dhe angazhimit të veprimtarëve të “Shkollës shqipe” në Zvicër dhe veçmas Vaxhid Sejdiut, i cili me përkushtimin e tij është bërë shembulli më i mirë në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare, jo vetëm në Zvicër por edhe në mbarë mërgatën shqiptare.

Sektori për informim

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …