Ahmet Qeriqi: Këshilli i NATO-s i ka dhënë katër ditë afat Milosheviqit për t' iu nënshtruar kërkesave që dalin nga Rezoluta 1199 e KS të OKB-së (E martë 13 tetor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Këshilli i NATO-s i ka dhënë katër ditë afat Milosheviqit për t’ iu nënshtruar kërkesave që dalin nga Rezoluta 1199 e KS të OKB-së (E martë 13 tetor, 1999)

Shiu po bie pa pushuar. Banorët që u zhvendosën mbrëmë në Grykën e Shpëtimit, janë kthyer. Qëndrimi nëpër tenda tanimë është i pamundshëm. Frika nga ndonjë hakmarrje e forcave serbe pas vrasjes që ndodhi dhe me ç` rast luftëtarët tanë vranë paralimitarët në Karaçicë dhe dy policëve në Caralevë, është mjaft e pranishme. Nga çasti në çast presim fillimin e granatimit.

Lajmet e radiostacioneve të huaja bëjnë të ditur se Këshilli i Natos i ka dhënë katër ditë afat regjimit të Milosheviqit për t iu nënshkruar kërkesave që dalin nga rezoluta 1199 e KS të OKB-së. Si duket presioni i fundit  do të ketë ndikim sa për fillim.

Në saje të kësaj Rezoluteje parashihet që regjimi serb të pranojë një kontingjent të vëzhguesve ndërkombëtarë, për të përcjellë realizimin e kërkesave që dalin nga Rezoluta, e cila parasheh, tërheqjen e ushtrisë nëpër kazerma, tërheqjen e kontingjentit shtesë të armatës që ka ardhur nga Serbia, mos-pengimin e kthimit të të zhvendosurve dhe një varg masash të tjera, të cilat sipas mendimit tim, regjimi kriminal serb nuk do t`i zbatojë.

Serbët, gjithnjë sipas politikës së tyre perfide, fillimisht bëhen se do t`i pranojnë kërkesat që dalin nga rezoluta, por do ta zvarrisin realizimin, ndërsa sa i përket kthimit të ushtrisë në kazerma, kjo mund të bëhet vetëm përkohësisht, pasi që serbët në territorin e përfshirë në luftime kanë dislokuar trefishin e numrit zyrtar të forcave.

Pavarësisht nga të gjitha, Serbia, tani për tani është vënë në shënjestër dhe kjo ka shumë rëndësi. Rëndësi ka po ashtu edhe fakti se Ushtria Çlirimtare e Kosovës për një kohë do të merr frymë lirshëm dhe mund të përforcohet në çdo aspekt.

Këtë fillim të demonizimit të këtij regjimi kriminal mund ta shfrytëzojë edhe politika e diplomacia shqiptare, e cila mjerisht nuk është në nivelin, as  fillestar të detyrave.

Natën vonë Zymryti është sëmurë sërish nga zorra çorre. Arbana i ka dhënë një ixhekcion por ka rrezik se do të detyrohem ta çojmë për operim, në Prishtinë, edhe pse kjo punë do të jetë me shumë rreziqe.

Të papriturat këtu mund të ndodhin nga çasti në çast. Nuk kemi asnjë pikë sigurie, por megjithatë jetojmë dhe presim…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një marrëveshje e re për t` iu ikur provokimeve dhe prapaskenave (E shtunë 21 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një marrëveshje e re për t` iu ikur provokimeve dhe prapaskenave (E shtunë 21 nëntor, 1998)

Bora që po bie pa ndërprerë i ka vështirësuar tjemase mundësitë e komunikimit. Në shumë …