Presidenti Hashim Thaçi, ka pritur të martën një delegacion të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, të udhëhequr nga presidenti, Suma Chakrabarti.
Thaçi e uroi Chakrabarti për rizgjedhjen e tij në postin udhëheqës të EBRD-së dhe u shpreh i kënaqur për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë.
“Kam pasur kënaqësinë të bashkëpunoj me ju si kryeministër i Kosovës dhe si ministër i Jashtëm, kurse tash kam kënaqësinë që të vazhdojë këtë bashkëpunim edhe në detyrën e re”, u shpreh presidenti Thaçi.
Duke folur për punën e EBRD-së, presidenti Thaçi tha se “EBRD ka projekte të rëndësishme për Kosovën” dhe shtoi se janë gati 50 projekte që po zbatohen apo janë zbatuar në Kosovë deri më tani.
Presidenti Chakrabarti e uroi gjithashtu presidentin Thaçi për zgjedhjen e tij president i Republikës së Kosovës dhe e njoftoi për angazhimin e organizatës që ai kryeson në Kosovë.
“Është koha për strategjinë e re të zhvillimit. Do të përqendrohemi në përkrahjen për sektorin privat, në sektorin e energjisë dhe efiçiencës, si dhe në ndërlidhjen duke investuar në infrastrukturë, hekurudha dhe rrugë”, ka thënë presidenti Chakrabarti.
“Ekonomia e Kosovës po shënon rritje të vazhdueshme, përkundër sfidave”, u shpreh i pari i EBRD-së, Suma Chakrabati.
Thaçi vlerësoi përkrahjen e EBRD-së në zhvillimin e Kosovës dhe përkrahu përpilimin e strategjisë së re zhvillimore.
“Roli i juaj në Kosovë është i pazëvendësueshëm dhe ju do keni përkrahjen time të parezervë si president”, përfundoi ai.