Dren Sh. Brahimaj: Vepra “Persefonia”, udhëtim poetiko-historik në jetën dhe revoltën e gruas shqiptare. përmes vargjeve të Fitnete Ramaj-Mujaj

Tashmë kur autorja ka mbushur gjysmë shekulli jetë, dha prapa saj është një histori e tërë arritjeje e suksesi të vazhdueshëm, pikërisht sot, në njërën prej kryeqendrave të arsimit e kulturës shqiptare, po promovohet vepra e saj “Persefonia”. Publiku artdashës e veçmas të apasionuarit e letërsisë do kenë mundësinë, të lexojnë veprën e parë të Fitnetës. Vura theksin tek fjalët: vepra e parë, sepse jam i bindur që trasenë që veçse e ka filluar, ajo do vazhdoj këmbëngultësisht të zgjeroj me krijime të reja letrare opusin e saj, me ritme edhe më të shpejta e po kaq të veçanta.

          Poezitë të cilat janë përmbledhur në këtë vëllim poetik, nuk janë shkruar brenda një periudhe të shkurtër kohore. Autorja vërehet që i ka peshuar ngjarjet, i ka vlerësuar ato, e më pas ka reflektuar. Nëse do duhet t’i përcaktojmë kohën, nëse jo për aq vite sa ka filluar të mësoj, ose për aq vite sa ka jetuar me vjehrrën e saj, 27 vite, atëherë janë plotë një jetë dedikim, shkrimit.

          Ajo veçse kishte talentin e dhuntin e gdhendjen së shkronjave në letër të bardhë, që nga shkolla fillore. Në fakt libri i parë i Fitnetës do duhej të botohej, në vitin 1999. Të gjitha shkrimet e saj, poezitë e esetë e shumta, u dogjën nga ushtria dhe policia serbe në pranverën e atij viti. Si kompenzim i atij libri të “vjedhur”, autorja u mjaftua me lirinë, për të cilën ajo vazhdonë ta ruaj me fanatizëm të rrallë. Kur po them ta ruaj, vë në pahë edhe jetën e përditshme të saj. Arsimimi i brezave vazhdon të jetë misioni më humanë dhe njëherit më kombëtar i profesoreshës, Fitnete Ramaj Mujaj.

          Parë në syrin kritik të një historiani, poezitë e Fitnetes shtrihen në dekada edhe më të hershme, se edhe vet lindja e poetës.

Nga dialogu me vjehrrën, ne mësojmë për jetën e vështirë të shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore. Meqë babai i personazhes në libër ishte ballist e me bindje demokratike, ai nuk pajtohej me ripushtimin jugosllav e as me vendosjen e regjimit komunist. Prandaj edhe u vra në bjeshkën e Sejnovës. Mjeshtërisht autorja, na kthenë vite më pas, duke na njohur me jetën e vajzës së lënë jetime. Mes dëshirës për arsim dhe realitet të një varfërie ekstreme në të cilën gjindeshin shqiptarët, e veçmas shqiptarët. Përkundër të gjithave, ajo arrinë të krijojë familje dhe të gjejë forcën të përkrahë të tjerët në rrugën e arsimimit. Mbase tek ta, do të mund të shihte me krenari, ëndërrën e saj të mbajtur peng.

 Ernesto Sabato, “deklaronte se për një periudhë të caktuar historike nuk mjafton vetëm të shkruhet një histori shkencore, medoemos duhet të kemi edhe një vepër letrare”. Kësaj thënie i ka shkuar përshtati më së shumti, vepra e Fitnetës.

          Ëndrra për arsimim e vajzave shqiptare e lanun peng prej rrethanave socio – politike, e besa edhe mentalitetit që vinte prej mendjengushtësisë, luftohen fortë me mesazhin që përcjellet nëpërmjet vargjeve shpotitëse të autores. Jo aq rrallë, këto dukuri negative që na përcollën e mbase edhe mund të jenë evidente, lanë shenja në rritën edukative mbarë shoqërore.

          Autorja ka guximin intelektual dhe vetdijshëm, jep pafund mesazhe motivuese, duke mos kthyer kokën asnjëherë pas, ajo guximshëm kritikon dukuritë negative që rrethojnë botën e saj. Prandaj edhe kemi pasur nevojë t’i kemi në dorë këto poezi dhe bashkë me to të reflektojmë dhe të jemi edhe ne pjesë e agjendës për një shumëllojshmëri ngjyrash mendimesh. Të jesh pjesë e botës fshat ka më shumë përgjegjësi sesa t’i takosh fshatit botë.

          Është po kaq e vështirë të jesh edhe revoltuese, e poezitë e Fitnetës janë revoltë ndaj dukurive negative. Ndaj gjithë atyre që edhe vrasin gra me të cilat kanë krijuar familje. Poetja i druhet se mos këto dukuri negative fatkeqësisht mjaftë prezente edhe tek ne, si: vrasja, dhunimi, pabarazia e përçmimi mos po rrezikohen të bëhen pjesë e rrethit tonë, dhe të shihen si diçka normale ma kalimin e kohëve. Prandaj edhe erdhi me veprën e saj poetike “Persefonia”, mbase poezia në thelb mbi të gjitha zhanret tjera godet më fortë e më shpejtë.

          Fitnetja me delikatesë e ka përzgjedhur edhe emrin e librit të saj, “Persefonia”. Parë në aspektin mitologjik, Persefonia mundë të bënte një jetë sa të nëndheshme, po aq edhe të mbidheshme. Në vjeshtë dhe dimër ajo futej nën tokë, vdiste, e në faktë është koha kur mbillej fara. Ndërsa ringjallja është në përputhje me pranverën dhe verën, sythi çelë, rritet dhe shëndrrohet në bimë e drithë. Të tilla atribute kanë personazhet e Fitnetes, të cilat arrijnë të sakrifikojnë shumë nga vetja, për të tjerët. Gjejnë vullnet e dashuri për të ngritur themele të forta, jo vetëm familjare, por bashkë me to edhe shoqërore. Anipse jeta ndaj tyre nuk ka qenë gjithmonë e drejtë.

Përgjithësisht kjo formë jetese e ka determinuar fatin ndividual të shumë grave të cilat nuk mundën të jenë aty, ku do duhej të ishin. Veçanërisht gruaja shqiptare, shtylla kryesore e mbajtjes gjallë jo veç të familjes por edhe të rolit edukues në mungesë shkollash, duke filluar nga ninullat në djep e deri tek bekimi për luftë.

Ashtu si edhe vet autorja e cila thekson rolin e dy grave të rëndësishme në jetën e saj, nënës dhe vjehrrës, mund të themi me bindje të plotë, që mundi dhe dëshira e tyre për një kthesë të madhe në vendin tonë, e të cilën ato e shihnin, veç me ngritjen arsimore dhe me një rol më aktiv të gruas në shoqëri, është jetësuar amaneti i tyre dhe do vazhdoj të shihet e të ruhet si gjëja më e shenjt e kombit tonë. Ndërsa Fitnetja ka arritur t’i bëjë të pavdekshme, nëpërmjet vargjeve të saj!

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …