Ahmet Qeriqi: Ndodhi të ndryshme dhe të papritura gjatë ditës. (E enjte 15 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi të ndryshme dhe të papritura gjatë ditës. (E enjte 15 tetor, 1998)

Sot po bën një ditë e vërtetë vjeshte. Qielli është kthjellur. Moti si duket do të përmirësohet. Krejt kjo iu ngjallë shpresat mijëra të zhvendosurve në Drenicë, në Dukagjin dhe në Anadrin, të paktën derisa të fillojë dimri.

Në mëngjes kanë ardhur Naim Ismajli dhe Hasan Avdyli. Naimi është përgjegjës i njësitit të Caralevës. Ai na ka njoftuar se mbrëmë në kohë të caktuar, sipas udhëzimeve që janë dhënë nga Shtabi, janë sulmuar në befasi pozicionet serbe në vendqëndrimet e tyre në Caralevë dhe në Dukë. Nuk dihet për pasojat por serbët të befasuar përnjëherë janë futur nëpër bunkerë dhe nuk iu kanë kundërpërgjigjur sulmeve. Kjo tregon se ata tani për tani nuk janë të interesuar të luftojnë. Ky mbase edhe ishte qëllimi i sulmit të akorduar në 15 pikëpozicione të zonës tonë, të Llapushës dhe në disa vende të tjera.

Hasan Avdyli ka kërkuar që për familjen e tij 22 anëtarëshe të sigurojmë ndonjë shtëpi në lagjen tonë. Ai, është i njoftuar për në shtëpi që ende ndodhet e zbrazët dhe sipas të gjitha gjasave të të jetë në disponim për një kohë të caktuar.

Edhe sot ka pasur detonime të fuqishme në Dukë dhe në Caralevë.

Një zhurmërimë e jashtëzakonshme e aeroplanëve dëgjohet në bazën ushtarake serbe, në Sllatinë. Gjatë tërë ditës nuk kanë pushuar aterimet dhe nisjet e aeroplanëve ushtarakë. Serbët megjithatë kanë ndërmend të bëjnë ndonjë befasi.

Pas drekës Jakupi dhe Luani kanë shkuar për t`u takuar me një gazetar italian me origjinë arbëreshe, i mirënjohur për luftëtarët e UÇK-së. Ai si duket disa ditë do të qëndrojë në mesin tonë.

Po sot me autobusin e orës 11.oo, nga Prishtina dhe Lipjani kanë arritur dy bijat e mixhës Mehë, Fatimja  e Zejnepja  me fëmijët e tyre dhe nëna ime, Xhevahirja. Lëvizjet e autobusëve bëhen pa pengesa nga ana e serbëve. Mirëpo intensifikimi i vajtje ardhjeve, ka edhe anën negative sepse në këtë mënyrë depërtojnë pa u hetuar edhe bashkëpunëtorët  e serbëve,  të cilët mund të japin të dhëna të rëndësishme për lëvizjet tona e sidomos për qëndrimin e një pjese të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm këtu në shtëpitë tona në Krojmir. Për vajtje ardhjet e Jakup Krasniqit, të Hashim Thaçit, të Fatmir Limajt, të Idriz Hysenit e të tjerëve, tanimë dinë të gjithë, natyrisht se dinë edhe spiunët e Gjurës dhe Shërbimi sekret serb,  në Lipjan dhe në Shtime. Kam frikë pasi që ata e kanë identifikuar vendqëndrimin mund të sulmojnë me ndonjë njësi diversante nga helikopteri apo me ndonjë raketë tokë-tokë nga Komarani.

Ditët sa do të rënda dhe me shqetësime gjithfaresh po kalojnë.

Me shpejtësi të jashtëzakonshme ka filluar kthimi i ushtarëve tanë nëpër pozicionet e para. Grupe të njëpasnjëshme kanë filluar të shkojnë në Shqipëri për armatim dhe municion.

Gjasat janë reale se koha po punon edhe për ne nëse arrijmë të përforcohemi dhe t`i konsolidojmë radhët. Është me rëndësi edhe fakti se Bashkësia ndërkombëtare nuk ka marrë ndonjë qëndrim të prerë kundër UÇK-së, përveç preferencave për t`u larguar një kilometër larg rrugëve magjistrale dhe për të mos e sulmuar policinë dhe ushtrinë okupatore gjatë tërheqjes.

Në orët e vona të natës, pasi kemi rënë për të fjetur shpërthimi i një krisme të papritur më ka zgjuar nga gjumi. Pak më vonë janë dëgjuar edhe krisma të tjera që më dukeshin se vinin nga Gryka e Shpëtimit apo në lagjen e Lugut, te Ollurët. Iu kam bërë zë Hasanit dhe Faruk Gashit dhe kam kërkuar që të shkojnë në fshat te rojet për të mësuar për shpërthimet e papritura.

Në orën tre pas mesnatës Faruku dhe Hasani më kanë lajmëruar se predha si duket ka ardhur nga pozicioni serb te Godenët, ku ditë më parë luftëtarë tanë kanë vrarë disa militarë serbë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …