Ahmet Qeriqi: Pozicionime të reja të formacioneve ushtarake e policore serbe (E hënë 19 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Pozicionime të reja të formacioneve ushtarake e policore serbe (E hënë 19 tetor, 1998)

Të gjithë jemi zgjuar herët meqë parandiejmë rrezikun e intervenimit të formacioneve serbe të grumbulluara në relacion Komaran Malishevë. Ndodh që serbët do të ndërmarrin sulm kundër pozicioneve tona, duke e shfrytëzuar kështu afatin derisa të skadojë marrëveshja e ashtuquajtur Hollbruk-Milosheviq, e cila ndër të tjera parasheh kthimin definitiv të armatës në kazerma.

Serbët mund të hakmerren edhe me faktin se forcat tona, në shumë vende i kanë sulmuar forcat okupatore me rastin e tërheqjes. Ky ndoshta është vetëm një pretekst, por kjo ka zbuluar para tyre forcën e pathyeshme të UÇK-së dhe gatishmërinë e saj për të luftuar deri në fund. Këto sulme do të ndikojnë në imponimin e UÇK-së si faktor ushtarak, meqë me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes Holbruk Milosheviq, nuk është kërkuar armëpushim nga UÇK-ja, sepse në rast të tillë ajo do të legjitimohej si forcë ndërluftuese. Serbët tanimë po e kuptojnë se edhe kjo marrëveshje do të pësojë sikurse të tjerat dhe ndoshta pikërisht për këtë ata do t`iu përgjigjen sfidave nga ana jonë.

Pasi kemi qëndruar për një kohë te Oda e Sylës ku po mbahet ngushëllimi për dëshmorin Jetë Hasani, së bashku me Beratin, Sylën dhe të tjerë kemi shkuar në kuzhinën ushtarake, ku aktualisht janë angazhuar Idriz Qeriqi, Salih Rizani, Heset Hamdiu e shumë të tjerë.

Strukturat ushtarake civile në Krojmir kanë qenë dhe po mbesin në nivel meritor falë organizimit dhe përkushtimit të trimave dhe të trimëreshave që janë angazhuar në radhët tona. Në Krojimir vepron edhe një njësit kontrollues vëzhgues i ushtareve të armatosura cilat ushtrojnë roje në hyrje dhe dalje të fshatit, Ato legjitimojnë udhëtarët edhe nëpër autobusë.

Në mesin e ushtareve të rekrutuara që nga fillimi i luftës shquhen: Teutë Mazreku, Merita, pastaj Melikie Qeriqi, Arbanë Qeriqi, Ganimete Qeriqi, Shukrie Mustafa dhe shumë të tjera. Në radhët e luftës që prej fillimit është angazhuar edhe Hilmie Plakiqi, drejtoreshë e shkollës, në Nekoc. Ajo vazhdimisht është në kontakt me grupin e ushtareve që aktualisht shërbejnë në Krojmir.

Gjatë tërë ditës kemi pritur fillimin e ofensivës serbe.

Si duket edhe sot na kanë kursyer, ose kanë qëllime të tjera.

Nga granatimet në Tërpezë dhe Arllat thuhet se ka pësuar një nënë me të bijën e saj. Serbët janë koncentruar në këto anë, pasi që kanë infromacione për pozicionimin e ushtrisë dhe të një pjese të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm.

Në orët e vona të natës, derisa i lodhur dhe i dërrmuar po i radhis zhvillimet e ditës së sotme, po dëgjohen të shtëna armësh në drejtim të Grykës së Llapushnikut. Kam dalur në oborr për të saktësuar se ku po shkrepin armët. Po thuajse në të njëjtën kohë dëgjohen të shtëna edhe në malet e Caralevës, në drejtim të Kleçkës e në disa pika të tjera

Mendoj se këto sulme po i provokojnë ushtarët tanë me qëllim që t`i lodhin forcat serbe dhe në asnjë vend të mos ndihen të sigurt. Në këto rrethana, sidomos pas miratimit të Rezolutës së KS të OKB-së dhe marrëveshjes së Holbrukut me kryekriminelin Miosheviq, mendoj se serbët nuk do të ndërmarrin ndonjë ofensivë në shkallë të gjerë. Megjithatë, ne jemi të gatshëm për të gjitha. Kthim prapa nuk ka.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …