leoni

Ahmet Qeriqi: Në zonat e luftës shpërndahet në mënyrë të organizuar gazeta Bota e Re (E shtunë 24 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në zonat e luftës shpërndahet në mënyrë të organizuar gazeta Bota e Re (E shtunë 24 tetor, 1998)

Në mëngjes te vendqëndrimi ynë në shtëpinë e mixhës Mehë, kanë ardhur për të biseduar për disa çështje, Naim Imeri dhe Vehbi Zeqiri. Me ka ardhur edhe kushëriri i Ukshin Hotit, të cilin e quajnë Skënder. Sapo jemi parë me Skënderin u njohëm meqë edhe më parë jemi takuar në Prishtinë dhe në Prizren. Skënderi më tregon se djali i tij Fejsali ka rënë dëshmor. E ngushëlloj atë, ndërsa ai mbahet burrërisht.

Nga Skënderi mësoj se ka për qëllim ta takoj Hashim Thaçin me të cilin ka punë. Po ashtu tregon se ka marrë përsipër që vetë personalisht të angazhohet në shpërndarjen e gazetës Bota e Re, duke rrezikuar vajtje-ardhjet për çdo javë në Prishtinë, apo në ndonjë fshat afër Lipjanit. Skënderi është i veshur hollë. E vërej se sa të mbathur vetëm një palë qorapë të holla të verës dhe një palë këpucë të vjetra. Ndërkohë derisa Skënderi po bisedonte me Naim Imerin, kam kërkuar nga bashkëshortja ime të më gjejë qorapë të dimrit, të cilat ia kam dhënë Skënderit. E kam porositur Naimin që me rastin e largimit nga këtu të shkojë në kuzhinë, ta takoj Shyqri Iballin dhe t`i sigurojë një palë këpucë Skënderit, të cili nuk i bën fare përshtypje se me këpucë vere hapëron nëpër malet e ftohta  të Drenicës.

Skënderi na ka lajmëruar për shtrirjen e Ushtrisë Çlirimtare në fshatrat e Vërrinit dhe në Lagjen Tusus të Prizrenit,  e cila ka qenë arenë e përleshjeve të forta mes forcave okupatore dhe forcave të Ushtrisë sonë çlirimtare. Ai po ashtu ka folur për rënien heroike të komandant Remzi Ademajt, për të cilin thotë se ka rënë në pritë,  të cilën e kanë organizuar forcat serbe. Skënderi nuk heziton që fajtorin për rënien e tij ta adresojë në radhët e infiltruara të UDB-së në UÇK. Ai më njofton se në radhët e UÇK-së janë rreshtuar qysh heret edhe Bedri Halimi Feti Hasani dhe shumë ish të burgosur të asaj ane  me të cilët njihem qysh moti. Nuk di gjë për Kadri Kryeziun, për të cilin kam dëgjuar se një kohë ka qenë në zonat e luftës por më vonë është larguar dhe tani jeton, në Prizren.

Pasi kemi ngrënë drekë, Skënderi ka shkuar te Luani me të cilin do të shkojë në Berishë apo në Fshatin e Ri, për t u takuar me Hashim Thaçin.

Në orët e paditës na kanë njoftuar se forcat serbe kanë bërë lëvizje taktike në disa pozicione në drejtim të Zborcit dhe në Blinajë. Si duket serbët po demonstrojnë forcë dhe nuk e kanë ndërmend t`iu binden kërcënimeve të NATO-s. Lajmet nga terreni, bëjnë të ditur se forcat policore serbe kanë demonstruar forcë edhe në disa fshatra të Blinajes si në Ribar të Madh, në Qylagë dhe në Dobrajë.

Rreth orës 16,00,  Jakup Krasniqi dhe Ramë Buja në përcjellje të Sylë Qeriqit dhe të Ajvaz Karpuzit janë nisur në drejtim të Nekovcit. Me autobusin e mbrëmjes në drejtim të Magurës është nisur edhe nëna ime, Xhevahire Kadri Beba  me Albanin e vogël, djalin e vëllait tim  të Salimit, i cili ndodhet në Gjermani. Nëna vjen kohë pas kohe për të na vizituar.

Në orët e mbrëmjes, si zakonisht ditëve të shtune vjen Fatmir Xhelili dhe Nusret Gashi. Ata, kanë depërtuar nëpër Blinajë me traktorë. Nusreti ka sjellë patate dhe qepë për kuzhinën ushtarake në Krojmir…

Fatmiri konstaton se gjendja shëndetësore e Beratit është në përmirësim e sipër por atij i rekomandon pushim dhe vazhdimin e terapisë. Fatmiri, i ka sjellë Beratit edhe disa barëra të tjera më të forta.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …