leoni

Ahmet Qeriqi: Forcat policore dhe ushtarake serbe tërhiqen nga Kleçka dhe nga pikë-pozicionet në Rrafshnaltë. (E hënë 26 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Forcat policore dhe ushtarake serbe tërhiqen nga Kleçka dhe nga pikë-pozicionet në Rrafshnaltë. (E hënë 26 tetor, 1998)

Gjatë natës ka rënë shi i pandërprerë. Vazhdimisht po bën një mot i lig i ftohët dhe me shi. Tanimë nuk po flitet për katastrofë humanitare edhe pse burimet e lajmeve në mesin e popullatës së zhvendosur, bëjnë të ditur se si pasojë e ftohjes së motit kanë vdekur disa pleq, ndërsa një fëmijë ka vdekur në Grykën e Kizharekës.

Në Prishtinë dhe në qendra të tjera që nuk i ka përfshirë lufta, jetohet normalisht. Madje thuhet se  nga Prishtina janë përzënë të gjithë banorët e Drenicës.

Dikush ka marrë njëfarë vendimi që t`i dëbojë të zhvendosurit, me pretekst se po ua shohin sherrin. Ka raste kur pronari që mbanë ndonjë mik në banesë apo në shtëpi të kërcënohet nga fqinji.

Pas dite, këtu në vendndodhjen tonë në Krojmir ku ndodhemi vetëm unë dhe Berat Luzha, kanë ardhur për të biseduar Sylë Qeriqi, Luani, Ajvaz Karpuzi, Elez Durmishi e të tjerë. Luani vazhdimisht ankohet në ata të Shtabit, propozon të bëjë ndërrime në kierarki e të tjera. Syla shpreh mendimin e tij për t`u angazhuar në policinë ushtarake në vend të Jetë Hasanit. Luani proteston meqë pa Sylën nuk është i sigurt ta bëjë as një hap. Elezi po ashtu rezervohet. Ai mendon se Sylë Qeriqit, njërit prej luftëtarëve të radha të para të UÇK-së, i takon një vend më meritor.

Pasi i dëgjoj ankimet e tyre, kërkoj nga Syla Elezi dhe Luani, që të bisedojnë me Fatmir Limajn ose me Shaban Dragën. Luani nuk mund pa të mos e shprehë nervozitetin  e tij duke bërë gjeste të pahijshme me të cilat tanimë jemi mësuar. Jam më se i sigurt se Syla dhe Elezi nuk veprojnë kokë në vete, ndërsa Luani nuk i luan dot Sylës. Këtu është krejt kallauzi i kësaj punës tonë.

Në mbrëmje fare papritur na erdhi një lajm befasues. Ushtarët tanë që ndodhen në roje dhe në vëzhgim në pikat e Javurit dhe të Karaqicës, kanë bërë të ditur se forcat policore dhe ushtarake të pushtuesit janë tërhequr nga të gjitha pikë-pozicionet e Rrafshnaltës. Është ky lajmi më i mirë në këto rrethana. Si duket sot me rastin e skadimit dhjetëditësh të afatit, forcat okupatore kanë filluar të realizojnë diçka nga plani i tyre i tërheqjes. Megjithatë nuk është për të besuar aq lehtë, por duhet shtuar vigjilencën.

Nuk ka lajme lidhur me tërheqjen e forcave serbe nga Komarani dhe Llapusha edhe nëse vëzhguesit tanë tregojnë se në relacione të ndryshme dëgjohet zhurmërima e shtuar e tankseve.

Në mbrëmje së bashku me Beratin, Sylën dhe Elezin kemi shkuar në darkë te Ramadan Rizani, ku kemi qëndruar deri në orët e vona të natës.

Disa krisma në drejtim të Caralevës bënë që Syla me disa ushtarë të niset për në atë drejtim. Ka gjasa që gjatë tërheqjes së serbëve ndonjë nga ushtarët i ka përcjellë me ndonjë rafal mitralozi i ushtarëve tanë…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Pozicionime të reja të formacioneve ushtarake e policore serbe (E hënë 19 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Pozicionime të reja të formacioneve ushtarake e policore serbe (E hënë 19 tetor, 1998)

Të gjithë jemi zgjuar herët meqë parandiejmë rrezikun e intervenimit të formacioneve serbe të grumbulluara …