Ahmet Qeriqi: Shqetësime të rëndomta, ditore. (E mërkurë 28 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Shqetësime të rëndomta, ditore. (E mërkurë 28 tetor, 1998)

Ushtarët tanë, të cilët po i përcjellin lëvizjet e ushtrisë dhe policisë okupatore, kanë lajmëruar se serbët kanë filluar të tërhiqen nga disa pika, por janë koncentruar rreth rrugëve magjistrale dhe në vende ku nuk vërehen nga gazetarët apo misionarët e huaj.

Sot kanë shkuar në Kleçkë, Sylë Qeriqi, Elez Durmishi dhe Ajvaz Karpuzi për të biseduar me komandant Çelikun lidhur me lirimin nga arresti të ushtarit, i cili e ka vrarë Jetë Hasanin.

Pasi janë kthyer në mbrëmje, Syla tregon se nuk e kanë takuar Çelikun, pasi që ai nuk ndodhej në Shtab, ndërsa Shaban Draga lirimin nga arresti e ka arsyetuar me faktin se në Kleçkë nuk ka burg. Ai po ashtu ka bërë të ditur se vrasësi është urdhëruar që të qëndrojë në shtëpi dhe në asnjë mënyrë të mos largohet për çdo rast.

Krejt kjo punë ka marrë të tatëpjetën, meqë shokët e Jetë Hasanit janë mllefosur edhe më fortë në ata të Shtabit, të cilët sipas tyre nuk janë të aftë të ndërmarrin asgjë që iu përgjigjet funksionit të cilin e ushtrojnë.

Sido qoftë duhet pritur dhe nuk duhet lejuar që të bëhen gabime të tjera. Në rast se sulmi ka qenë i organizuar atëherë fjalët dalin, por duhet pasur kujdes që të mos na dëmtohet lufta, tani kur situata në terren kërkon angazhime maksimale.

Në orët e mbrëmjes ka ardhur Nusret Gashi, sipas porosisë së Berat Luzhës. Nesër duhet të niset për në Prishtinë për të kryer porosinë me të cilën e ka ngarkuar Berati, dhe për të cilën nuk e kam pyetur, duke menduar se është ndonjë çështje rreth problemeve të tij individuale.

Nga lajmet e mbrëmjes mësojmë se forcat serbe vetëm sa kanë lëvizur nga disa pozicione derisa ka kaluar ultimatumi i NATO-s. Në disa postblloqe janë shënuar përforcime të forcave si në Komaran dhe në Grykë të Carralevës, në bazën ushtarake në Ferronikel etj.

Serbët vetëm sa kanë taktizuar për t`i ikur me mjeshtri ndëshkimit të mundshëm.

Është inkurajues fakti se serbët janë tërhequr nga Rrafshnalta dhe nga disa pika të cilat janë me rëndësi strategjike dhe vitale për ne. Tani për tani mendoj se është koha e rimobilizimit, meqë gjatë dimrit nuk priten ofensiva në shkallë të gjerë. Është shumë me rëndësi nëse arrijmë ta shtyjmë situatën deri në fillimin e pranverës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …