Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, fajëson Qeverinë-Kurti, duke konstatuar se e ka zhytur vendin në një situatë të vështirë pa perspektivë evropiane. Ai vlerëson se diplomacia e udhëhequr nga Qeveria Kurti ka dështuar në përfaqësimin e interesave të Kosovës, duke lejuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, të përdorë platforma të rëndësishme për të forcuar pozicionin e tij pro-Rusisë dhe pro-Kinës, ndërkohë që ai siguron mbështetje për rrugën evropiane të Serbisë. Tahiri theksoi se konferenca e përbashkët e Vuçiqit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është një shfaqje ku Serbia është paraqitur si një faktor që sfidon BE-në në çështje kritike të sigurisë dhe politikës së jashtme, gjë që sipas tij përbën një skandal dhe një dëm për Kosovën. Për t’i kuptuar mesazhet dhe orientimin e BE-së për perspektivën e Ballkanit Perëndimor, është e rëndësishme të ndiqen deklaratat e von der Leyen në Beograd dhe Tiranë, të cilat, siç theksoi ai, nxjerrin në pah rrezikun që i kanoset Kosovës në procesin e integrimit evropian, tha Besnik Tahiri.
