Pas tërheqjes së forcave ushtarake e policore serbe nga disa postblloqe, ushtarët tanë kanë zbuluar disa të vrarë të pavarrosur, kufomat e të cilëve janë dekompozuar. Po ashtu janë marrë të gjitha masat që vendet të cilat kanë qenë nën kontrollim të serbëve të hulumtohen për shkak se ka mundësi, që të kenë lënë ndonjë fushë të minuar.
Sot pasdite Berat Luzha, Mehdi Qeriqi dhe Ajvaz Karpuzi kanë shkuar për vizitë te Adil Cena, babai i Enver Dugollit, i cili po mbahet në burgun e Nishit. Enveri ka qenë i dënuar edhe në vitet e tetëdhjeta dhe asokohe janë njohur në burg me Berat Luzhën. Familja Dugolli e Nekocit qysh heret është inkuadruar në radhët e UÇK-së.
Naim Ismajli, komandant i pozicioneve në kodrat e Caralevës kërkon që të zgjerohet kapaciteti i furrës së bukës në Krojmir, në mënyrë që të mos ketë nevojë edhe për një furrë tjetër në Pjetërshticë. Ai, po ashtu parasheh se së shpejti do të shtohen radhët e UÇK-së, meqë tërheqja e serbëve nga disa pika ka krijuar mundësi për zënien e pozitave të reja strategjike.
Ajvaz Karpuzi bën me dije se është kthyer në Krojmir mjeku Hilmi Olluri Ai një kohë ka punuar me serbët në Lipjan, pastaj ka punuar në Kraishtë. Ky farë mjeku është krejtësisht i papranueshëm për radhët tona. Është aq i neveritshëm sa nuk meriton as të flitet për të.
Sot në Krojmir nga baza e logjistikës së Shtimes Mehdi Iballi, vëllai i Shyqës dhe Jahir Krasniqi nga Karaqica kanë sjellë me traktor artikuj ushqimorë. Së bashku me ta ka ardhur edhe babai im Ali Emin Miftari. Ata kanë zbarkuar 600 litra naftë, pastaj patate, fasule, oriz dhe artikuj të tjerë për nevoja të ushtrisë. Të gjitha këto ndihma i organizon Nazmi Iballi me vëllezërit e tij dhe me të gjithë ata që janë vënë në shërbim të luftës çlirimtare.
Jeta në Krojmir dalëngadalë po kthehet në ritmin e ditëve të para ofensivës së 25 korrikut. Ka vajtje ardhje të pandërprera sidomos të familjeve të ushtarëve, të cilët vijnë nga çdo anë për t`u parë me të afërmit e tyre.
Në mbrëmje kam biseduar me babën, ai duket shumë i lodhur dhe i dërrmuar nga vuajtjet e jetës dhe tani të luftës. Baba më tregon se ka ndërmend që gruan e Salimit, dy vajzat dhe djalin t`i çojë në Shqipëri, me shpresë se nga atje do t `i merrë Salimi, vëllai im i vogël i cili ka tetë vjet që jeton dhe punon ne Gjermani dhe asnjëherë nuk e ka ndihmuar as familjen e tij të ngushtë. Është një tip tejet i papërgjegjshëm një krijesë e llojit të veçantë. Një njeri i pandjenja dhe i pa kurrfarë përgjegjësie, një aventurier i neveritshëm. Sa e sa shqetësime i ka krijuar babës, bashkëshortes dhe fëmijëve.