Sadik Halitjaha: Riza Vata, veprimtari i devotshëm i çështjes kombëtare

Jemi në përvjetorin e parë pa Riza Vaten. Ai më 1 nëntor 2023 ndërroi jetë!

I palodhur, i papërkulur dhe i përkushtuar për çështjen kombëtare, i madhi Riza Vata, siç e quanin bashkëveprimtarët (Baba Riz), ka lënë pas një trashëgimi të paharrueshme.

Riza e filloi veprimtarinë e tij që nga viti 1975, kur ishte student në Zagreb. Atje, rreth Rizes u bashkuan shumë studentë dhe punëtorë shqiptarë në veprimtarinë kombëtare të fshehtë në Kroaci! Riza solli dhe përhapën frymën e tillë me veprime propagande dhe shpërndarjen e literaturës së Shqipërisë, të ndaluar nga regjimi i pushtuesve jugosllavë. Kjo u prit me simpati e vullnet nga rinia e shkollarëve, të shkollës së mesme dhe nga studentët e atëhershëm!

Që nga viti 1977, Riza vazhdoi veprimtarinë në Therandë, duke bashkëpunuar me shumë veprimtarë, disa prej të cilëve patën lidhje të ngushta me të, si: Ibrahim Shala, Sadik Halitjaha, Fadil Vata, Mehmet Mustafa, Hysen Gega, Ruzhdi Saramati, Osman Shala, Rrahman Llugagjia, Bilall Osmani, Halil Krasniqi, Murat Bytyqi, Shemsie Elshani, Hava Bytyqi, Dashurie Syla, Naser Selimi, Shpresa Baraliu, Besim Baraliu, Shyqri Kokollari, Sherif Luzhnica, Bajram Sallauka, Elami Kokollari dhe të tjerë!

Shumë nga veprimtarët janë burgosur për shkak të veprimtarisë së tyre kundër pushtuesit. Ndër të parët ishte edhe Riza Vata! Edhe pas burgut, Riza asnjëherë nuk hoqi dorë dhe nuk u ndal nga veprimtaria për liri e bashkim kombëtar. Ai e pati përkrahur Fadil Vaten, hero, dhe Hysen Gegën, çlirimtar, në mes të të cilëve tani pushon trupi i Riza Vates!

Kur lufta e UÇK-së filloi në Kosovë, Riza Vata, në ditët e para, shkoi në Likoc dhe takoi Jakup Krasniqin. Nga Jakupi, u sugjerua që të ndihmojë mobilizimin e luftëtarëve në rajonin e Therandës! Riza mobilizoi një skuadër vetëm nga Vatajtë e Sallagrazhdës dhe i solli në Batalonin e II të Budakoves, si: Merita Vata, Bajram Vata, Milazim Vata, Flurim Vata, dhe Rahim Vata, e të tjerë!

Riza ndihmoi edhe në shtigjet e furnizimit me armë dhe në sigurimin e transportimit të të plagosurve, duke i strehuar dhe ndihmuar në Shehim! Ai mbante kontakte të vazhdueshme me komandën e ZOP! Pas kalimit të familjes në Shqipëri, lidhej menjëherë në Kukës me veprimtarin e kahmotshëm të çështjes kombëtare, që në atë kohë ishte komandant i brigadës, Ruzhdi Saramati, si dhe me Avdi Ibrahimin dhe Xhevdet Elshanin! Riza ndihmoi shumë në mobilizimin e luftëtarëve për Operacionin Shigjeta!

Pas luftës, Riza Vata dha kontribut në ndërtimin e strukturave të pushtetit lokal dhe moralizoi çlirimtarët në krijimin e shtetit të Kosovës! Ai ishte një pikë koordinimi për shokët e idealit, që ata të zhvillonin takime me të. Aty takoheshin dhe të tjerët në familjen e tij në Sollagrazhde, në shtëpinë e tij, pos shumë të tjerëve, vizitohej shpesh edhe nga Elez Durmishi e Syl Qeriqi!

Ishte mikpritës i madh ai, po ashtu edhe gruaja e tij e mrekullueshme, vajza dhe djali, Debatiku! Ngase shumë vite jetoi pa një veshkë, e dominuan sëmundja dhe lodhja e ngadalshme. Ne shokët e tij i mbetëm borgj shumë, sepse ai mund të ketë ndier vetmi! Por pranë vetes kishte gjithmonë familjen e ngushtë dhe të gjerë Vataj!

Pushojë zemra e tij së rrahuri më 1 nëntor 2023! Riza mbetet shembull i këmbngulësisë dhe i përkushtimit për Atdhe!

Lavdi të paharruarit Riza Vata!

1 Nëntor 2024
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …