Në Ferizaj u mbajt ecja për ndërgjegjësim kundër kancerit të gjirit

Ndër aktivitetet e shumta të organizuara gjatë tetorit apo siç njihet “Muaji Rozë”, në Ferizaj, sot u mbajt ecja tradicionale me qëllim ndërgjegjësimin për rëndësinë që kanë kontrollet e shpeshta dhe zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit.

Ecja është bërë nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, për të vazhduar deri tek sheshi i qytetit “Adem Jashari”, ndërsa moto ka qenë “Zbulim i hershëm – mbijetesë”. Ky organizim u bë nën patronatin e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Ferizaj.

Në këtë ecje kanë marrë pjesë drejtues të pushtetit lokal, anëtarë të Kuvendit të Komunës, mjek e infermierë, por edhe shumë qytetarë.

Me këtë rast në sheshin e qytetit në Ferizaj, është bërë edhe shfaqja e një ekspozite e përgatitur nga mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollës së arteve “Çesk Zadeja” në Ferizaj.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies në Ferizaj. Dr. Kemajl Emini, dhe Dr. Xhevdet Haxhidema janë shprehur se qëllimi kryesor i këtij manifestimi është ndërgjegjësimi i shoqërisë për rrezikun nga kanceri i gjirit dhe krijimin e kushteve më te mira për zbulimin e hershëm dhe trajtimin optimal të kësaj sëmundje.

Në Ferizaj, janë kryer mbi 500 mamografi prej tyre 57 janë në trajtim e sipër nga kjo sëmundje.

Profesionistët shëndetësorë kanë përsëritur thirrjet për më shumë kontrolle dhe vizita për çdo ndryshim në trup.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …