Kuvendi Komunal i Vitisë mbajti sot mbledhjen e dhjetë të rregullt, të kryesuar nga Bekim Azizi, i cili informoi të pranishmit mbi vlerësimin e ligjshmërisë së akteve nga mbledhja e fundit. Në këtë takim, përfaqësuesit e komunës shqyrtuan disa pika të rëndësishme të rendit të ditës, duke u fokusuar kryesisht në Pasqyrat Financiare të buxhetit komunal për periudhën Janar-Shtator 2024.
Drejtoresha për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Milihate Ajeti, prezantoi këtë dokument, duke njoftuar se komuna ka realizuar të hyra prej 816 mijë eurosh, çka përbën një nivel të kënaqshëm prej 79.29% të planifikimit vjetor. Ajo shtoi se ekzekutimi i buxhetit është realizuar në masën 96.26%, duke reflektuar një menaxhim të përgjegjshëm të fondeve. Anëtarët e Kuvendit kërkuan sqarime shtesë mbi kategoritë specifike të shpenzimeve të kësaj periudhe, përfshirë shpenzimet që kanë të bëjnë me përmbaruesin lidhur me kontratën kolektive për sektorin e Arsimit.
Përveç raportit financiar, u shqyrtuan edhe propozime për shpalljen e disa vendimeve me interes të përgjithshëm publik, ndërkohë që ishte paraparë të diskutohet edhe për draftin e Kodit të Etikës për zyrtarët e Komunës së Vitisë, një dokument kyç që synon të forcojë integritetin dhe përgjegjësinë institucionale, mirëpo kjo pikë u hoq nga rendi i ditës.
Më tej, Kuvendi u njoh me ndarjen e subvencioneve të Departamentit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit (DKRS) për vitin 2024, si dhe me ecurinë e vitit të ri shkollor nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), duke adresuar kështu përkushtimin e komunës për zhvillimin arsimor dhe mbështetjen e aktiviteteve rinore dhe kulturore. Gjithashtu, u prezantua një raport mbi vlerësimin e dëmeve në sektorin e bujqësisë si pasojë e fatkeqësive natyrore, me qëllim që të përgatiten masa të reja për mbështetje ndaj fermerëve të prekur nga këto dëme.