Ahmet Qeriqi: Qeveria e Bukoshit cakton ministër të Mbrojtjes ish UDB-ashin, Januz Tërstena (E hënë 2 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Qeveria e Bukoshit cakton ministër të Mbrojtjes ish UDB-ashin, Januz Tërstena (E hënë 2 nëntor, 1998)

Vazhdon të mbretërojë një gjendje e nderë e pritjes, e pasigurisë dhe e shumë vështirësive të tjera me të cilat po përballemi. Gjatë orëve të para ditës me Jakup Krasniqin dhe Berat Luzhën kemi biseduar për hulumtimin e formave dhe metodave më frytdhënëse të organizimit dhe të zgjerimit të radhëve.

Më vonë ka ardhur Idriz Hyseni, i cili është caktuar komandant i Batalionit, Imer Alushani. Me te si zakonisht vjen edhe ushtari nga Anadrini,  të cilin e quajnë Dalip. Është një ushtar i vëmendshëm që vetëm dëgjon.

Meqë ndërkohë ka ardhur edhe Elez Durmishi, kemi filluar   bisedën lidhur me lirimin nga arresti të ushtarit i cili e ka vrarë,  Jetë Hasanin. Idrizi nuk pranon se ushtari është liruar nga arresti, por thotë se atij iu ka caktuar qëndrimi në vend të caktuar, në shtëpinë e tij për shkak se nuk ka kushte për të siguruar roje…Tre rreshta të koduar… Jakupi, edhe pse nuk e thotë shkoqur mendon se Jeta është vrarë aksidentalisht, mirëpo tërë kjo duhet të kalojë nëpër një procedurë, e cila tani për tani nuk mund të ushtrohet.

Në kontest të kësaj bisede Elezi ka ngritur edhe çështjen e disa personave me të kaluar tejet të dyshimtë, disa nga të cilët tani janë deri edhe në radhët komanduese  të ushtrisë. Kam fituar përshtypjen se të gjithë i dinë këto raste por asnjëri nuk dëshiron të merret me to. Kjo mund të na kushtojë shumë shtrenjtë. Kjo lë të dyshohet se në strukturat organizative ndoshta ka depërtuar shërbimi sekret serb. Është e tmerrshme vetëm nëse mendohet, por nëse flitet me emër e mbiemër për një person të caktuar, e kaluara e të cilit është jo vetëm e dyshimtë por krejtësisht në shërbim të armikut, atëherë çështja merr dimensione tejet të rrezikshme. Krejt këto punë duhen peshuar mirë, në të kundërtën mund të pësojmë në mënyrën më të befasishme.

Pasdite, bija ime  Labëria  dhe bashkëshortja,  Zymryte,  kanë shkuar në Shalë te Adem Vehbi Meti, vëllai i saj. Ademi me familjen e tij, prej fillimi të luftës ka qëndruar dhe nuk janë larguar.

Kam biseduar me Hilmi Ramadanin dhe Shyqri Iballin lidhur me ndarjen e ndihmave, që ditë më parë kanë ardhur në Shalë.

Shyqri Iballi ka filluar të interesohet për magazinim në një vend të veçantë të miellit, vajit, fasules dhe orizit të dedikuara vetëm për ushtarët. Shyqa është dorë e djathtë e këtij shërbimi në Logjistikë. Ai jo vetëm që është i papritueshëm por është tepër syçelë dhe shumë depërtues.

Në mbrëmje me Beratin, Luanin dhe Gafurr Dugollin kemi shkuar në ambulancë. Atje si zakonisht takojmë mjekët Jakup Ismajli, Naser Bytyçi, Reshat Gashi dhe teknikët. Bijat e Aziz Hamdiut jo vetëm që na mirëpresin por vazhdimisht na shërbejnë me qaj e kafe. Janë vajza mikpritëse dhe të përkushtuara për luftën e UÇK-së.

Në lajmet e TVSH-së marrim vesh se e ashtuquajtura Qeveri në ekzil ka zgjedhur Ministër të Mbrojtjes UDB-ashin e damkosur, Januz Tërstena, i njohur për dhunë që ka ushtruar kundër demonstruesve në mars dhe prill të vitit 1981, me ç rast iu ka çarë koka nga guri i një protestuesi. Ishte ky një lajm tepër i keq, i cili lidhet natyrshëm me bisedën që kemi zhvilluar lidhur me depërtimin në radhët tona të një segmenti të ish policisë politike të okupatorit.

Ramiz Qeriqi, i ka paraqitur Jakup Krasniqit disa ankesa krejtësisht me vend, sidomos me rastin e ndarjes së uniformave nga kreu i komandës së Brigadës. Vetëm 50 uniforma janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu. Ai ka ripërsëritur kërkesën e tij që me rastin e nisjes së ushtarëve për armë dhe municion në Shqipëri të shkojnë njëzet ushtarë të Batalionit tonë. Ai ka parashtruar edhe disa ankime të tjera.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat policore dhe ushtarake serbe tërhiqen nga Kleçka dhe nga pikë-pozicionet në Rrafshnaltë. (E hënë 26 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Forcat policore dhe ushtarake serbe tërhiqen nga Kleçka dhe nga pikë-pozicionet në Rrafshnaltë. (E hënë 26 tetor, 1998)

Gjatë natës ka rënë shi i pandërprerë. Vazhdimisht po bën një mot i lig i …