leoni

Ahmet Qeriqi: Njëzet ushtarë dhe vullnetarë të Batalionit Ruzhdi Salihu do të nisen për në Shqipëri për të marrë armë dhe municion (E martë 3 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Njëzet ushtarë dhe vullnetarë të Batalionit Ruzhdi Salihu do të nisen për në Shqipëri për të marrë armë dhe municion (E martë 3 nëntor, 1998)

Herët në mëngjes ka filluar zhurmërima tanimë  e përditshme e aeroplanëve në aeroportin e Sllatinës. Kanë fluturuar edhe aeroplanë vëzhgues dhe të ushtarëve. Dy tri orë më vonë  një aeroplan vëzhgues çan furishëm mbi Lugun e Drenicës, duke shkaktuar një zhurmë të çartur dhe ushtimë të jashtëzakonshme. Serbët po e demonstrojnë forcën e tyre të barbarisë.

Jakup Krasniqi dhe Ramë Buja janë nisur për në Berishë. Ata i ka përcjellë me xhip Ramiz Qeriqi i mbiquajtur Luani.

Kemi biseduar me Berat Luzhën për hapjen sa më parë të Radios dhe të Agjencisë. Puna e Radios është më e komplikuar, ndërsa agjencia mund të aktivizohet me pak pajisje e mjete teknike.

Në kohën e drekës, edhe pse ushqimin e kemi të përgatitur këtu në shtëpi kemi shkuar në kuzhinë. Atje takohemi me ushtarë dhe me anëtarë të shtabit civil të Krojmirit. Kuzhina është rregulluar si duhet. Po ashtu edhe kapaciteti i furrës për pjekjen e bukëve është rritur. Punët tani për tani janë vënë ne rregull. Disa nga ushtarët tanë nuk pritojnë të bëjnë edhe mish për kuzhinë, meqë ende nëpër livadhe shëtisin sa e sa lopë të cilave nuk iu dihen pronarët. Kohëve të fundit  ushtarët kanë kapur një matrapaz lopësh i cili vjedh këtu dhe i shet në treg, në Lipjan.

Heset Hamdiu interesohet për pyllin. Ai propozon që të emërohet një pylltar i cili do të ruante pyllin dhe do të përkujdesej për të siguruar drunj për kuzhinë. Ishte një propozim me vend dhe ka mbetur vetëm që Heseti ta caktojë personin që do ta kryente këtë punë. Atij duhet t`i sigurojmë edhe një pushkë gjuetie, mendon Heset Hamdiu njëri prej anëtarëve më aktivë dhe më të përkushtuar të Shtabit civil të Krojmirit.

Në mbrëmje për darkë kemi shkuar te Luani. Atje kanë filluar të tubohen ushtarët e në mesin e tyre edhe disa vullnetarë të cilët duhet të nisen për në Shqipëri, me qëllim që të marrin armatim dhe municion.

Nga Batalioni Ruzhdi Salihu duhet të nisen afër 20 ushtarë. Në raste të tilla kemi problem me të gjithë ata që janë duke pritur, me radhë, sepse shumica e tyre insistojnë me çdo kusht të nisen për në Shqipëri. Ka raste kur janë aq insistues sa nuk arrin t`i bindesh se numri është i kufizuar. Ka në mesin e tyre që janë duke pritur me muaj të tërë dhe duken të dëshpëruar përse ende nuk janë kyçur në radhët e ushtrisë,  edhe pse ata shërbejnë dhe kryejnë punë të caktuara.

Në kohën kur nga shtëpia e Luanit, së bashku me Beratin nisemi për në shtëpi, rreth orës 23.00 një rimorkio e traktorit është mbushur përplot vullnetarë dhe ushtarë që duhet të nisen për armatim. Përshëndetemi me ta. Shumica janë të Krojmirit, Karaçicës, Caralevës e të Zborcit. Janë tërë shend dhe nuk e marrin me mend se në çfarë rreziqesh duhet të parakalojnë. Në mesin e këtij grupi që nisen sonte janë edhe Ramadan Elshani, Bashkim Krasniqi i cili ka qenë edhe më parë, dhe dhjetëra të tjerë. Rruga e tyre e gjatë e mundimshme dhe e rrezikshme tregon vendosmërinë e kësaj rinie për të luftuar edhe pse shumica pacifiste mendon se lufta ka marrë fund dhe ushtria jonë çlirimtare është shpërbërë.

Në perëndim po dynden re të bardha. Më duket një natë e jashtëzakonshme ndërsa në zemër ndiej një zbrazëtirë të çuditshme.

Nga lajmet e vona të natës kemi mësuar se Ibrahim Rugova me ambasadorin amerikan Krist Hill ka vizituar Malishevën. Rugova ka shprehur habi me shkatërrimet që janë bërë, pa saktësuar se kush i ka bërë ato.

Erdha me mikun tim Krist Hill, thotë para kamerave, dhe shton, thashë hajt t` iu shoh si po kaloni këndej dhe pastaj qeshet pa motiv, sikur bën zakonisht… Rugova na përgjason me njeriun që  qesh kur duhet qarë,  dhe qan kur duhet qeshur!

Natën vonë janë kthyer Jakup Krasniqi, Ramë Buja, Agron Krasniqi. Ata kanë kontaktuar Adem Demaçin.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …