leoni

Ahmet Qeriqi: Nga Lipjani vijnë në Shalë dy mjeranë të LDK-së (E mërkurë 4 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga Lipjani vijnë në Shalë dy mjeranë të LDK-së (E mërkurë 4 nëntor, 1998)

Ishte një ditë e rëndomtë vjeshte. Sot në orët e paraditës kam mbetur vetëm.

Jakupi, Rama dhe Agroni kanë ikur që në mëngjes. Berati ka shkuar në ambulancë. Elezi Syla dhe Ajvazi me detyrë të caktuar kanë shkuar në Nekovc.

Lufta na ka ndarë dhe na shkapërderdhur në të gjitha anët.

Në zonat e luftës ende ndodhemi në rrethim, në pat=pozicion. Serbët nuk janë tërhequr. Ata po i rikomponojnë forcat ushtarake dhe policore. Zgjidhja e kompromisit që propozojnë zyrtarë të caktuar të bashkësisë ndërkombëtare për ne shqiptarët është tejet e pavolitshme. Kjo zgjidhje parasheh demobilizimin e forcave tona, pikërisht kur ka ngritur krye klani i Bukoshit dhe formimi i të ashtuquajturave ministri, në Tiranë. Ata si duket po bëhen gati që të vjelin nga lufta qa sa mund të vilet në rrethana të caktuara.

Emërimi në krye të Ministrisë së Mbrojtjes së një ish UDB-ashi të damkosur sikur është, Januz Tërstena, flet për qëllimet tejet djallëzore që ky klan po përgatitë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo klasë qyqarësh i beson një plani të mjerë, sipas së cilit parashihet që aktualisht Kosova të mbetet nën Serbi dhe në Jugosllavi, me kusht që pas tri vjetësh të fitohet e drejta për pavarësi. Gjepura të mjera të mjeranëve të përjetshëm dhe të papërmirësueshëm.

Rreth mesditës kanë ardhur Syla dhe Ajvazi. Ata më bëjnë me dije se nga kreu i LDK-së të Lipjanit kanë ardhur Ismail Gashi dhe një veprimtar tjetër i arsimit. Ata kanë ardhur me qëllim të urdhërojnë drejtorët e shkollave për të filluar mësimin dhe kanë sjellë me vete një plan të punuar nga kreu i LASH-it, i cili kërkon të dhëna për dëmet që janë shkaktuar nëpër shkolla. Këta farë zyrtarësh naivë, nuk janë në vete. Për ta si duket lufta ka mbaruar dhe ata duan të tregojnë se kush duhet të interesohet për punën e shkollave. Për më tepër kanë sjellë edhe porosi nga Rexhep Osmani, njeriu më i korruptuar në Kosovë.

Më vonë Elezi më tregon se janë ndaluar këta zyrtarët e arsimit, duke iu bërë me dije se urdhrat e tyre, nuk vlejnë më, ashtu sikurse nuk vlejnë as urdhrat e kreut pacifist të vendit. Elezi dukej shumë i mllefosur. Ai pret nga unë se çfarë do të bëjmë me ta. Ndërkohë, me Agron Krasniqin ka ardhur edhe Luli. Ramë Buja, meqë i njeh dhe nuk dyshon se kanë ardhur me qëllime të këqija. Tre rreshta të koduar…

A thua çka mendojnë këta soj njerëzish? Është vështirë ta marrësh me mend se sa të mjerë dhe të pa kurrfarë dinjiteti janë këta pacifistë, të cilët edhe në kushte okupimi  edhe në kushte lufte nuk e shkëpusin lidhjet me okupatorin.

Tërë kjo është e neveritshme.

Më vonë ka ardhur Idriz Hyseni me dy fëmijë të tij dhe me ushtar Dalipin.

Idrizi me familjen e tij të ngushtë është vendosur në shtëpinë e Hilmie Plakiqit në Nekovc. Dalipi ka sjellur një agregat të ri, duke mos e ditur se edhe ne e kemi siguruar paraprakisht, me ndihmën e Naim Imerit dhe të mjekut Fatmir Xhelili.

Në mbrëmje ka ardhur kushëriri im, Imer Tafil Qeriqi. Sa herë vjen sigurohet paraprakisht që të jem vetëm.  Imeri më bën me dije se sërish ka biseduar me mikun e tij, Muhamet Shabani, nga ish LKJ-ja, po ashtu sikur edhe Imeri, Selatini e shumë të tjerë. Ai më sqaron se miku i  tij, Muhameti, nuk ka pranuar të rreshtohet me ata që po kërkojnë bashkëpunim për të arritur marrëveshje mes serbëve e shqiptarëve, për çarmatosjen e UÇK-së dhe tërheqjen e policisë serbe. Ai përkrah vetëm politikën e Ibrahim Rugovës, dhe siguron se as ka bashkëpunuar as bashkëpunon me serbët, por as me UÇK-në. Imerit i sqaroj se nuk merrem  me qëndrimet e askujt, po ai vetë e kishte hapur atë bisedë para disa muajve, dhe ai e di më së miri pozitën e mikut të tij. Kushëriri im ka pasur dhe ka dilema, meqë nuk i beson fitores tonë, ashtu sikur nuk i beson shumica e shqiptarëve, në Kosovë. Për këtë më vjen keq, por për qëndrime të tilla nuk mund të akuzohet askush, sepse secili ka bindjet e veta. Imeri në disa raste është treguar mendjelehtë, të cilin edhe e kanë manipuluar, por nuk ka të dhëna konkrete që ka bashkëpunuar me strukturat e tanishme të regjimit. Derisa po e përcillja më tha se është i gatshëm të kryejë ndonjë detyrë,  që do t’i caktohej…

Natën vonë ka ardhur. zëdhënësi UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Kemi biseduar për ristrukturimin në radhët e Drejtorisë për Administratë Civile dhe Marrëdhënie me Publikun…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …