Ahmet Qeriqi: Në Krojmir vjen Hysen Gega (E enjte 5 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Krojmir vjen Hysen Gega (E enjte 5 nëntor, 1998)

Forcat policore dhe ushtarake serbe po ripozicionohen, nëpër pika të reja qëndrimi në shumë fshatra dhe lokalitete të Kosovës. Krejt kjo po shkakton një gjendje pasigurie për barorët e fshatrave që janë kthyer nëpër shtëpitë e tyre. Edhe pse duket sikur situata po shkon drejt një stabilizimi të brishtë, asgjë nuk është e sigurt me faktin se serbët nuk janë tërhequr sipas marrëveshjes, ndërsa frika nga predhat armike është evidente.

Në mbrëmje ka ardhur Hysen Gega  së bashku me Sejdi Elezin. Hyseni është njëri ndër veprimtarët më militantë të lëvizjes sonë kombëtare. Ka kaluar trembëdhjetë vjet nëpër burgjet e okupatorit. Ai që në fillim është rreshtuar në radhët e UÇK-së. Pasi përshëndetemi, Hyseni tregon se ka pritur një kohë të gjatë në Javur, meqë tre ushtarë, sipas tij njëri qos, tjetri me puçrra dhe një qeros, i kanë thënë, prit pak sa kthehemi dhe shkojmë së bashku në Krojmir. Sipas përshkrimit të tij del se në mesin e tyre ka qenë edhe Luani, të cilin Hyseni si duket nuk e ka njohur dhe është sjellë në stilin e tij të komunikimit.

-Njëri prej tyre ka qenë komandant i them, Hysenit, duke kuptuar nga përshkrimi i fizionomisë që bëri Hyseni.

-E mora me mend, përderisa më gënjeu, thotë Hyseni.

Të gjithë qeshim

-Të gjithë komandantët rrejnë, shton pas pak ai.

-Jo të gjithë, i thotë, Sejdi Elezi.

-Më trego pra cili nuk rren? insiston Hyseni.

Biseda me Hysen Gegën është bisedë origjinale, krijuese. Hyseni ka një oratori të lindur. Ai është tejet origjinal në mendime dhe ka qasje autentike si në rrëfim ashtu edhe në qëndrim dhe maturi. Është një tip i veçantë, personalitet  ku njëzohet shqiptari dinjitar i traditës dhe militanti i lirisë.

Përshkrimi që i bën ai momentit kur është larguar me Halil Kadollin nga Oda e madhe e Liman Kadollit në Bukosh, të ngel në kujtesë tërë jetën.

-E dija se pas një gjysmë ore kulla do të digjej, thotë Hyseni. Serbët vinin në drejtim tonë. E kisha marrë me mend se atë kullë po e shihja për herë të fundit dhe po bëja përpjekje të merrja diçka. Cigarllëkun e sermit apo shqiponjën e konservuar. Halili, djali i Limanit më thërriste  duke më bërë me dije se po i rrezikonim kokat. E mora cigarllëkun dhe përherë të fundit e shikova odën e burrave, odën e mençurisë dhe të trimërisë e cila do të digjej…

Hyseni mbeti në qendër të vëmendjes edhe pasi erdhën,  Jakup Krasniq, Ramë Buja, Elz Durmishi dhe Sylë Qeriqi.

Dromcat e tij të shkëputura nga lufta janë po aq të fuqishme sikur rrëfimet spontane të Markezit, apo të Çehovit. Hyseni është në mesin e atyre burrave që nuk flet sa për të folur dhe për të treguar preokupimin e tij.  Rrëfimet e tij janë të fuqishme, bindëse, të përjetuara në thellësi të shpirtit.

Hysenin e kam njohur edhe më parë dhe kam fituar përshtypje se është një paraqitje tejet origjinale, është një militant i përjetshëm, i pathyeshëm në burg dhe në luftë, ai është vetëm luftëtar i lirisë. Nuk ka pranuar grada as komandë. Lufton në radhët e para dhe për çdo lëshim ua përplas eprorëve pa pyetur se cilët janë dhe çfarë gradash kanë. Kosova ka vetëm një Hysen Gegë. Të tillë, të kompletuar me burrëri, trimëri, dashuri të pakursyer për njeriun dhe për lirinë, të nivelit të Hysen Gegës, nuk i gjen dot.

Më vonë  shkon për të fjetur në odën e Elez Durmishit,  me të cilin njihet po ashtu qysh moti. Me Hysenin janë larguar edhe Sylë Qeriqi dhe Sejdi Kelmendi…

Deri natën vonë kemi qëndruar me Jakup Krasniqin, Ramë Bujën dhe Berat Luzhën. Jakupi bisedon me Ramën lidhur me takimin që duhet ta ketë të  nesër me ambasadorin amerikan, Kristofer Hill, në Dragobil të Malishevës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në Prelloc afër Polacit në Drenicë sot është bërë varrimi i 34 dëshmorëve të rënë gjashtë ditë më parë, në Gorozhup të Hasit. (E diel 20 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Prelloc afër Polacit në Drenicë sot është bërë varrimi i 34 dëshmorëve të rënë gjashtë ditë më parë, në Gorozhup të Hasit. (E diel 20 dhjetor, 1998)

Që në më mëngjes është konfirmuar lajmi se sot në Polac të Skënderajt do të …