Që nga viti 1913 kombi shqiptar jeton i copëtuar dhe lëvizja kombëtare shqiptare ende nuk e ka përfunduar misionin e saj. Një platformë e mirëfilltë kombëtare duhet të ketë si objektiv strategjik bashkimin fizik në një subjekt të vetëm të së drejtës ndërkombëtare të Shqipërisë me trojet shqiptare në Mal të Zi, Kosovë, Serbi, Maqedoni e Greqi. Një Shqipëri e së ardhmes, me një trung të plotë e të përcaktuar përafërsisht në pesëkëndëshin Ulqin, Podujevë, Preshevë, Strugë e Prevezë, do të kishte kushte të mjaftueshme për begati ekonomike, përparim shoqëror e qëndrueshmëri politike. Trungut kombëtar shqiptar ju ndërprenë arteriet themelore, që e bëjnë të funksionueshëm një komb.
Statistikat dhe hartat etno – gjeografike tregojnë se Shqipëria, qoftë nga numri i popullsisë apo madhësia e territorit, është më e madhe se popullsia dhe territori i Serbisë dhe Greqisë. Por historia do të jetë e pamëshirshme ndaj shqiptarëve. Hapësira e tyre gjeografike do të vijë duke u zvogëluar, ndërsa hapësira e fqinjëve të tyre duke u zmadhuar. Nga viti 1847, deri në vitin 1913, janë hartuar dhe botuar 17 harta etno-gjeografike për Ballkanin dhe shtrirjen etnike të shqiptarëve.
Ngjarjet historike që u zhvilluan në gjysmën e dytë të shekullit XIX u shoqëruan me shpalljen e pavarësisë të disa shteteve të Ballkanit dhe me përpjekjet e tyre shoviniste për të vënë në jetë programet politike, si “Naçertania” dhe “Megali-Idheja”. Në këtë periudhë personalitete të shquara shkencore në Europë përgatitën dhe publikuan një seri hartash etnogjeografike, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm si dokumente shkencore për njohjen e kancelarive perëndimore me shtrirjen etnike të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.
Studimet etnogjeografike të autorëve shqiptarë dhe të huaj kanë dhënë një ndihmesë me vlerë të madhe në Rilindjen Kulturore shqiptare e në luftën për çlirimin e vendit dhe krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Fuqitë e Mëdha e pranuan më në fund krijimin e shtetit të ri shqiptar, por me vendimet që mori Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 29 Korrik 1913, territori etnik shqiptar u copëtua në katër pjesë, nga të cilat më pak se gjysma u përfshi në kufijtë politikë të shtetit shqiptar. Tri pjesët e tjera, ndonëse me popullsi krejtësisht myslimane, u aneksuan nga monarkitë e krishtera: nga Serbia, Greqia dhe Mali i Zi. Me këtë vendim parimi i të drejtave kombëtare, të trumbetuar prej tyre gjatë shekullit të XIX, u shkel.
Megjithëse ekzistonin studime dhe raporte historike dhe etnogjeografike nga personalitete të paanshëm botëror, të cilët argumentonin shkencërisht përbërjen kompakte etnike dhe origjinën historike të pandërprerë të popullit shqiptar, trungut kombëtar shqiptar ju ndërprenë arteriet themelore, që e bëjnë të funksionueshëm një komb, lidhshmëria politike, ajo ekonomike e komunikimi i brendshëm njerëzor.
Në memorandumin e dërguar nga misionari amerikan Telfond Ericson, kryetarit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, Sir Edward Grei-t, ku sillen fakte e dokumente historike mbi lashtësinë iliro-arbërore të shqiptarëve, shkruhet: “Si mund të ndahet në mes kjo tokë antike dhe ky popull antik në mes aleatëve si plaçkë lufte…” Më pas misionari amerikan shton: “Ne zotërinj kemi pas mësuar se drejtësia duhet të jetë guri themelor i çdo rendi jetëgjatë në shoqërinë njerëzore”.
“A mund të merret me mend që Shqipëria e kufizuar nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës më 1913, të jetë një Shqipëri e shëndoshë dhe solide? – shtron pyetjen retorike studiuesi Mit’hat Frashëri.
Asaj i janë privuar tokat më të mira që kishte, fushat më të bukura, më të rëndësishme dhe i janë shkëputur dy të tretat e popullsisë. Tokat pjellore të Janinës dhe të Prevezës, kullotat e famshme të Çamërisë iu dhanë Greqisë; ndërsa rrafshi i bukur i Kosovës ishte ndarë ndërmjet serbëve dhe malazezëve, për t’i lënë Shqipërisë një zonë malore gati të shkretë, të privuar nga mjetet e komunikacionit dhe të bllokuara nga bora gjashtë muajt e vitit. Nga ana tjetër është treguar kujdes që të lihen jashtë kufijve shqiptarë qytetet, qendrat e natyrshme të furnizimit të këtyre maleve.
Personalitetet shqiptare pavarësisht nga trauma që pësuan me cungimin e trojeve të tyre, e përshëndetën vendimin e Konferencës së Ambasadorëve për faktin se tashmë u krijua një shtet i pavarur shqiptar dhe se ky shtet do të shërbente si pikë mbështetje për të realizuar në të ardhmen programin madhor të Rilindjes Kombëtare.
Që nga viti 1913 kombi shqiptar jeton i copëtuar dhe lëvizja kombëtare shqiptare ende nuk e ka përfunduar misionin e saj. Një platformë e mirëfilltë kombëtare duhet të ketë si objektiv strategjik bashkimin fizik në një subjekt të vetëm të së drejtës ndërkombëtare të Shqipërisë me trojet shqiptare në Mal të Zi, Kosovë, Serbi, Maqedoni e Greqi. Një Shqipëri e së ardhmes, me një trung të plotë e të përcaktuar përafërsisht në pesëkëndëshin Ulqin, Podujevë, Preshevë, Strugë e Prevezë, do të kishte kushte të mjaftueshme për begati ekonomike, përparim shoqëror e qëndrueshmëri politike.