Ahmet Qeriqi: Në fshatin Apterushë kanë rënë në pusi të forcave të okupatorit pesë luftëtarë të lirisë, në mesin e tyre edhe Toni e Mici (E premte 6 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në fshatin Apterushë kanë rënë në pusi të forcave të okupatorit pesë luftëtarë të lirisë, në mesin e tyre edhe Toni e Mici (E premte 6 nëntor, 1998)

Pasi kemi ngrënë bukë Jakup Krasniqi, Ramë Buja dhe Agron Krasniqi janë nisur në drejtim të Kleçkës, së bashku me një ushtar tjetër, po ashtu nga Kleçka. Kam mbetur vetëm me Beratin. Me ne sot është edhe Epiri. Ai po na ndihmon në çdo segment. Tanimë nuk kërkon të shkojë në Shqipëri për armatim, pasi që si duket Elezi,  ia ka caktuar një detyrë roje me automatik gjatë natës.  E ka edhe uniformën, çizmet dhe një çantë ushtarake. Zymryti, Zamiri Rrezja dhe Labja kanë shkuar në Shalë, Arbana ndodhet në Ambulancë.

Më vonë ka ardhur për të na vizituar Fatosi i Muhamet Shamollit. Ai për një kohë ka qenë larguar nga Shala, ndërsa Mentori qysh prej fillimit është inkuadruar në ambulancën ushtarake.

Për të biseduar lidhur me disa çështje rreth furnizimit të popullatës ka ardhur edhe Besim Gashi nga Pjetërshtica i cili kryen punë në shtabin civil të fshatit. Pjetërshica ka shumë shtëpi të dëmtuara. Ai  me disa bashkëfshatarë të tij po bën përpjekje për t`i siguruar kulmet për  disa shtëpi të djegura, dhe, për t`i kryer këto punë i ka marrë lidhje me një Shoqatë Humanitare të quajtur Cap-anamur.

Në orët e pas ditës ka ardhur edhe Shaban Shala me një ushtare, e cila ka qenë plagosur gjatë ofensivës së verës, në Likoc. Atë e quajnë Irfete Spahiu. Shabani e ka edhe hallin e familjes së tij meqë shtëpitë në fshat ia kanë djegur serbët, dhe tani për tani nuk ka gjasa të kthimit në Gjergjicë.

Ai na tregon se sipas disa informatave dje në një fshat të Anadrinit kanë rënë në pritë të bandave serbe pesë luftëtarë. Nuk ka të dhëna të tjera, por kështu ka dëgjuar nga një ushtar.

Pasi që Shaban Shala, Irfete Spahiu dhe Hilmie Plakiqi janë nisur në drejtim të Shalës dhe Nekocit, Berati ka shkuar në ambulancë, ndërsa unë kam mbetur vetëm.

Në mbrëmje, sipas marrëveshjes, unë, Berati, Syla, Elezi, Vehbiu e të tjerë kemi shkuar te Ramadan Rizani. Atje kemi biseduar lidhur me riorganizimin e shtabeve civile. Duke qenë se unë e Berat Luzha momentalisht nuk kemi angazhime të tjera po përpiqemi që të ndihmojmë në organizimin e suksesshëm të këtyre shtabeve, pasi që në këto anë qysh me fillimin e luftës është ndërprerë çdo aktivitet partiak.

Ndërkohë, diku kah ora 22.00, janë dëgjuar shkrehje armësh. Kjo tanimë po ndodh po thuajse për çdo natë. Derisa po bëheshim gati për t u shpërndarë rrugës në terr e takojmë Elez Durmishin i cili  na bën me dije që të mos shqetësohemi meqë ushtarët tanë kanë gjuajtur në drejtim të forcave serbe, në Caralevë.

Pasi jemi kthyer në vendqëndrimin tonë kanë ardhur edhe Jakup Krasniqi me Agronin. Jakupi na bën me dije se dje me rastin e depërtimit të pesë ushtarëve tanë në relacion Suharekë Rahovec në fshatin Opterushë kanë rënë në pritë të focave serbe pesë luftëtarë tanë, në mesin e tyre edhe dy ushtarakë të mirënjohur të quajtur Xhelal Hajda-Toni dhe Selajdin Mullabazi- Mici. Kjo humbje është përcjellë me dhembje të madhe nga ushtarët, të cilët janë betuar se bashkëluftëtarëve të tyre do t ua marrin hakun.

Jakup Krasniqi na ka treguar edhe për bisedën triorëshe që kanë pasur me ambasadorin amerikan Kristofer Hill, në Shtabin e Dragobilit, ku forcat tona dhe ato serbe qëndrojnë ballë për ballë…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në Prelloc afër Polacit në Drenicë sot është bërë varrimi i 34 dëshmorëve të rënë gjashtë ditë më parë, në Gorozhup të Hasit. (E diel 20 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Prelloc afër Polacit në Drenicë sot është bërë varrimi i 34 dëshmorëve të rënë gjashtë ditë më parë, në Gorozhup të Hasit. (E diel 20 dhjetor, 1998)

Që në më mëngjes është konfirmuar lajmi se sot në Polac të Skënderajt do të …