Bashkë me familjarë, me bashkëluftëtarë, me përfaqësues të OVL të UÇK-së dhe me bashkëpunëtorë, sot, në 26-vjetorin e rënies në përballje me forcat pushtuese serbe, nderuam kujtimin dhe veprën e pavdekshme ndër breza të heronjve tanë: Xhelal Hajda-Toni, Selajdin Mullabazi-Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Ymeri. Janë 26 vjet nga dita kur ata ranë për lirinë e Kosovës, duke na lënë shembullin e guximit dhe të sakrificës.
Vepra e dëshmorëve rron përjetësisht në kujtesën tonë dhe në histori!
Këta bij të kombit, me zemër e me armë, i dolën përballë një armiku të pamëshirshëm, të bindur se liria është vlerë që duhet mbrojtur me çdo kusht. Rënia e tyre na kujton sa i lartë është çmimi i lirisë që sot gëzojmë dhe sa shumë kemi për të bërë për të ruajtur këtë trashëgimi të shenjtë.
Pas homazheve, në sallën e Qendrës Kulturore “Mensur Zyberaj” në Rahovec, u kremtua edhe Dita e Shkollës së Mesme të Lartë “Xhelal Hajda-Toni” Rahovec, përmes aktivitetetve të organizuara nga nxënësit dhe mësimdhënësit, me valle, me këngë të përkushtuara për heronjtë dhe me poezi prekëse që përçuan vlerat e lirisë dhe krenarinë kombëtare.